Manastirliu: Lufta nuk ka mbaruar ende

Thirrjet drejt numrit 127 të Urgjencës Kombëtare kanë rënë. Një tjetër tregues ky se pjesa kritike e pandemisë ka kaluar.

“Organizimi ka qenë perfekt, kemi në dispozicion  autombulanca të dedikuara për COVID-19. Duhet thënë se aktualisht fluksi i thirrjeve është ulur”, shprehet drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Por ministrja e Shëndetësisë kërkon që gjithsesi t’i kushtohet vëmendje pandemisë, pasi lufta me të nuk ka mbaruar.

“Mua më vjen shumë mirë që kemi filluar të funksionojmë si një organizëm funksional, të udhëhequr nga disa ekspertë të Komitetit Teknik. Por duhet thënë se është momenti për vigjilencë maksimale sepse lufta nuk ka mbaruar dhe duhet gjurmuar me kujdes çdo vatër në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri i transmetimit të infeksionit të COVID-19”, deklaroi Ogerta Manastirliu.

Ministrja përsëriti apelin për personat që kanë probleme me shëndetin, që të mos drejtohen në shërbime spitalore, por të telefonojnë shërbimin e urgjencës.

Tv Klan