Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimi të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, që mbahet në datat 14 dhe 15 shkurt në Bruksel.

“E informova sekretarin e Përgjithshëm mbi angazhimin e Shqipërisë, që brenda vitit 2024, 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto t’i dedikohet fushës së mbrojtjes, si edhe rikonfirmova rritjen e angazhimit të vendit tonë në të gjitha misionet e NATO-s dhe BE-së, apo edhe në misionin e ri kombëtar siç janë emergjencat civile”

, tha ministrja Xhaçka pas takimit.

Nga ana e tij, Stoltenberg vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur detyrimet e ndërmarra në kuadër të buxhetit, dedikuar në fushën e mbrojtjes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, njëherësh vlerësoi kontributin njerëzor të vendit tonë në misionet paqeruajtëse, për përkushtimin dhe profesionalizimin e ushtarakëve tanë.

Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s që po zhvillohet këto dy ditë në Bruksel, merr një rëndësi të veçantë, pasi i paraprin takimeve përgatitore të Samitit të kryetarëve të shteteve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që do të mbahet në Bruksel në 11 dhe 12 Korrik./

tvklan.al