Ministrja Xhaçka: Situata sizmike ka kaluar momentin më të rrezikshëm

Ministrja Xhaçka: Situata sizmike ka kaluar momentin më të rrezikshëm

21:08 22/09/2019

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se situata sizmike ka kaluar rrezikshmërinë e saj. Kështu kanë konfirmuar ekspertët sizmiologë, të cilët janë shprehur se aktiviteti sizmik po vjen duke u ulur, edhe pse ka lëkundje të vazhdueshme tërmeti.

“24 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne. Kanë qenë ore të një lodhje jo thjesht fizike, por edhe psikologjike. Dhe besoj që në momente si këto është më e rëndësishme se kurrë, që qytetarët të jenë të informuar për atë që po ndodh, dhe të kenë një pasqyrë sa më të qartë të të gjithë situatës. Siç është thënë sot disa herë, jo vetëm në komunikimet zyrtare, por edhe nga komunikimet me ekspertë sizmologë në media, situata sizmike duket se e ka kaluar momentin e saj më të rrezikshëm. Është e vërtetë që gjatë natës së djeshme janë shënuar disa lëkundje relativisht të forta, por mbi 300 lëkundjet e tjera që janë regjistruar në 24 orët e fundit kanë pasur një trend në ulje, ku pjesa dërrmuese kanë qenë nën 3 ballë e madje shumica nën 2 ballë. Edhe pse parashikimi i tërmeteve është i pamundur, sizmologët janë unanimë lidhur me faktin që, trendi në zbritje i fuqisë së lëkundjeve është shenjë e një stabilizimi të situatës. E di që pas asaj që kanë përjetuar dje shumë qytetarë janë ende të frikësuar, por është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku t’i rikthehemi normalitetit”.

Ministrja Xhaçka bëri me dije se shtabet e emergjencave janë të gjitha në terren për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë.

“Janë shpërndarë në terren dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive, 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura të atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës.

Numrat e emergjencës kanë funksionuar në mënyrë shumë të kënaqshme pavarësisht fluksit të madh të telefonatave. Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm. Përgjatë 24 orëve të fundit kanë zbritur në terren ose kanë qëndruar në gjendje gatishmërie maksimale disa dhjetëra ekipe mjekësore me staf të përforcuar që po kontrollojnë situatën, po kontaktojnë me qytetarët dhe kanë asistuar të gjithë qytetarët e lënduar apo që kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmë mjekësore”.

Ashtu si ministrja e Arsimit Besa Shahini, edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka konfirmoi se dita e hënë do të jetë pushim për nxënësit e 9-vjeçares dhe gjimnazistët në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

“Duke pasur parasysh edhe faktin që ngjarja e fundit sigurisht që ka shkaktuar më shumë frikë e stres tek ata që janë edhe qytetarët më të vegjël të Tiranës, Durrësit dhe çdo zone të prekur nga tërmeti, është Ministria e Arsimit ka vendosur që dita e nesërme të jetë pushim për shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ndërkohë që sapo është marrë vendimi që në keto tre qarqe do të jetë pushim edhe për kopshtet dhe çerdhet. Sa ju takon prindërve që punojnë në administratën shtetërore, të gjithë ata që kanë fëmijë në kopshte, çerdhe apo shkolla 9 vjeçare, nesër mund të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre”.

Xhaçka u bëri thirrje qytetarëve, banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, që të strehohen pranë qendrave të ngritura.

Dua t’i ftoj të gjithë ato familje, banesat e të cilave janë dëmtuar dhe që për shkak të kohës shumë të shkurtër nuk janë kontaktuar ende personalisht nga ekipet në terren për të marrë një akt vlerësimi teknik të sigurisë së banesave, që të shfrytëzojnë mundësinë që ju kanë krijuar Forcat e Armatosura por edhe Bashkitë Tiranë e Durrës për strehim. Më konkretisht, në Bashkinë Tiranë janë ngritur 6 qendra pritëse ndërsa në bashkinë Durrës 3 qendra pritëse, përkatësisht Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Mbrojtjes ku aktualisht po qëndrojnë 9 familje, Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe Stadiumi Niko Dovana i Durrësit ku FA kanë ngritur çadrat dhe ku janë duke qëndruar 30 persona”. /tvklan.al




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi