Pas një periudhe 3-mujore monitorimi ajror të Guardia di Financës italiane të 683.249 ha sipërfaqë që janë afro 23,77 % e territorit të vendit, policia shqiptare në bashkepunim me atë italiane dhe misionin e BE shpallën triumfin në luftën ndaj kanabisit.

Në konferencën përmbyllëse të misionit të monitorimit ajror 2017 në luftën anti-kanabis ku merrte pjesë dhe ministri i Brendshëm italian Marco Minniti, kreu i komandës së përgjithshme që ka drejtuar operacionet e monitorimit Sefano Screpant publikoi shifrat mbi numrin e parcelave të identifikuara dhe të asgjesuara pas 53 operacioneve të monitorimit ajror të ndërmarra nga 15 maji në 15 shtator të këtij viti.

Sefano Screpant:

“Në 2017 është fluturuar në një sipërfaqe territoriale prej 23.77 % një rritje me 60% nga 2016 kur u monitorua afro 17 % e territorit, përjashto sigurisht zonat urbane. Janë 53 misione fluturimi gjatë këtij viti ku u identifikuan 88 plantacione në periudhën maj- shtator. Ndërkohë janë kryer edhe 5 misione fluturimi dhe gjatë muajit Tetor janë identifikuar dhe 2 plantacione të tjerë, dhe ndërhyrja e policise rezulton të ketë qenë efektive në 100% të rasteve. Kjo veprimtari intesive ka çuar në reduktim të dukshëm të fenomenit”.

Shifra optimiste se lufta ndaj lëndëve narkotike ka rezultuar e suksesshme edhe në kapjen e sasive të konsiderueshme në ujrat detare jep dhe komandati i pergjithshëm i Guardia di Finanza, Gjeneral Gorgio Toski.

Gorgio Toski: “

Vetëm vitin e fundit Guardia di Finanza ka sekuestruar mbi 33 ton lëndë narkotike, një rritje 166 % krahasuar me 2016 kur u sekuestruan 12 ton lëndë narkotike”.

 Ministri italian Minniti vlerëson bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër kanabisit por të njëjtën gadishmëri ai thotë se qeveria italiane do të ketë për të ndërvepruar edhe në luftën kundër krimit të organizuar, që sipas tij duhet të arrijë deri tek kupola e rrjeteve kriminale apo të paprekshmëve.

 “Operacionet e suksesshme duken në kohë. Ne kemi arritur një rezultat të jashtëzakonshëm këtë vit. Duhet ta ruajmë, ta mbajmë këtë edhe për vitet e ardhshme. E di shumë mirë që qeveria shqitare ka objektiv strategjik luftën ndaj krimit te organizuar ndaj dhe kam ardhur këtu për t’ju thënë se në këtë objektiv do keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë italiane dhe ministrit të Brendshëm italian.  Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë këto trafiqe. Duhet të godasim të ashtuquajturit “të paprekshëm”. Sepse në Europë, në Shqipëri, në Itali, nuk ka të paprekshëm”.

Ministri shqiptar Fatmir Xhafa i cilëson rezultatet e publikuara të Gurdia di Finanza si përmbushje të premtimit të qeverisë Rama për t’i dhënë fund kanabisit brenda 2017.

“Megjithë lumin e akuzave, shpifjeve, çjerrjeve dhe kakofonisë, ne zgjodhëm heshtjen. Heshtjen e njeriut që punon, me përkushtim dhe mund ndaj misionit sublim. Përkushtimi, mundi dhe sakrifica e njërzve të ndershëm sot foli. Punonjës të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunëtorë të mi, ne ja dolëm me sukses në këtë hap të parë të rrugëtimit tonë”.

Ministri i Brendshëm italian, Minniti tha se në Shqipëri dhe në Ballkan luhet një lojë shumë e rëndësishme e cila ka përballë, veç luftës kundër kanabisit, edhe luftën kundër emigracionit dhe atë kundër terrorizmit. Këto tema ai i preku edhe në takimin që zhvilloi me presidentin Meta.

Tv Klan