Për herë të parë, mjeshtri i violinës, Tedi Papavrami do të performojë me bashkëshorten e tij, një pianiste mjaft e njohur, Maki Okada, në skenën e TKOB, në Tiranë.

Në një lidhje Skype, në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ai ka treguar më tepër detaje për këtë projekt, duke u ndalur gjithashtu edhe tek historia e dashurisë me gruan e tij.

Tedi Papavrami u shpreh se me bashkëshorten, ai është njohur si fillim në një “master class” në Japoni, ku jepte mësim.

Ata u bënë shokë shumë të mirë, por më vonë, marrëdhënia e tyre nisi të ndryshojë. Sipas mjeshtrit të violinës, ndërrimi i raportit ndodhi në një periudhë mjaft të vështirë në jetën e tij.


Tedi Papavrami: Jemi njohur, kemi qenë shokë shumë kohë në fakt, jemi njohur në vitin 2004-ër, në Japoni, gjatë një “master class” që unë jepja mësim.

Aty shkëmbyem disa fjalë edhe Maki (bashkëshortja) më tha që do të vinte të studionte, të fliste frëngjisht, çka nuk është e zakonshme në Japoni. Edhe më tha që do vinte të studionte në Paris. Në Paris pastaj, shiheshim, takoheshim herë pas here, ishim miq. Ajo vazhdonte studimet e saj në atë kohë… u bënë, sa i bie, 20 vjet, kështu që ishte ende studente në atë kohë.

Pastaj, ndërrimi si të thuash, kalimi në një raport tjetër ndodhi vetëm 7 vite më parë kur unë isha në një periudhë mjaft të vështirë të jetës time. Ajo ishte kthyer ndërkohë në Japoni, ku jetonte sërish edhe aty u takuam prapë. Aty lindi kjo ndjenjë e re që nuk e mendoja në fakt. E dija që ishte një mike shumë e mirë, shumë besnike që, domethënë, kisha një vlerësim të veçantë njerëzor për të, por nuk e prisja që të ndodhte diçka më sentimentale. Pas këtij momenti, vendosëm të martohemi dhe ajo erdhi të jetonte në Gjenevë.

Rudina Magjistari: Dhe jeni zhvendosur në Gjenevë tashmë prej shumë kohësh, apo jo Tedi?

Tedi Papavrami: Në fakt po, unë kam më tepër kohë që jam në Gjenevë, u bënë 12-13 vjet pak a shumë. Pak a shumë, që nga momenti që kur fillova të jap mësim në Konservatorin e Gjenevës. Më pëlqeu, në fakt si shumë francezë, mendoja që vetëm Parisi është i mundur për të jetuar kur je artist, por diçka gjithmonë më shqetësonte në Paris. Domethënë, kualiteti i jetës, një lloj nervozizmi i njerëzve, pak nga pak e ndjeva që në Gjenevë, më përkiste më shumë mua. Me një lloj paqeje, me një afrim me natyrën, kështu që e bëra këtë shpërngulje dhe nuk u bëra aspak pishman. Se është e vërtetë që Parisi nuk është rregulluar që kur unë kam ikur, është gjithmonë pak më i vështirë, më duket, për të jetuar edhe pse sigurisht, është i pakrahasueshëm nga ana kulturore. Kjo mbetet e vërtetë! /tvklan.al