Miqësoret e luksit kanë prodhuar rezultate befasuese por edhe situata interesante. Klasikja mes Holandës dhe Spanjës nuk ka prodhuar fitues, pasi takimi i zhvilluar në Amsterdam u mbyll me rezultatin 1-1. Golit të realizuar nga Sergio Canales në minutën e 19-të të pjesës së parë iu kundërpërgjigj në fillimin e fraksionit të dytë mesfushori i Manchester United Dony Van de Beek.

Gjermania kishte gjetur kohë për të eksperimentuar përballë Republikës Çeke dhe ia doli. Një gol i shpejtë i Waldschmidt i dha fitoren 1-0 që tashmë shkon më e karikuar se kurrë në dy duelet e Ligës së Kombeve ndaj Ukrainës dhe Spanjës. Sukses pa shumë impenjime mori Italia ndaj Estonisë, me shifrat  4-0.

Belgjika përmbysi 2-1 Zvicrën me Batashuayi që realizoi dy herë në pjesën e dytë duke e bërë të pavlefshëm golin e Admir Mehmedit. Fitoi dhe Polonia që mposhti 2-0 Ukrainën me golat e Piatek dhe Moder. Befasia erdhi nga Kampionët e Botës, Franca që u mposht 2-0 nga Finlanda.

Ndërkohë derbi ballkanas mes Turqisë dhe Kroacisë nuk prodhoi fitues pasi shifrat përfundimtare ishin 3-3, por solli një skenë vërtetë të çuditshme. Mbrojtësi kroat, Vida luajti gjatë gjithë pjesës së parë, ndërkohë që në dhomat e zhveshjeve mori lajmin se ka rezultuar pozitiv në testin e Covid-19. Mbetet të shihet se kush do të shpallet fajtor për këtë situatë.

/Klan Plus