Pas fitores komode ndaj Lihtenshtejnit, kombëtarja shqiptare rikthehet të zbres sërish në fushën e Haladas. Kuqezinjtë do të sfidojnë mbrëmjen e sotme në orën 19:00 Azerbajxhanin në takimin e fundit përgatitor para kampionatit Europian.

Një test i rëndësishëm pasi do t’i shërbejë trajnerit Sylvinho për të konkluduar edhe dilemat e fundit për lojtarët që do të marrë me vete në turneun gjerman. Jasir Asani duket se ka të sigurtë fanellën e titullarit.

Pavarësisht problemeve të shfaqura në seancat stërvitore, anësori do të jetë në fushë nga minuta e parë, me synimin për të marrë sa më shumë minuta për të qenë i gatshëm për tu përballur me kundërshtarë të një niveli më të lartë si Italia, Kroacia dhe Spanja.

Silvinjo pritet t’i besojë nga minuta e parë Etrit Berishës në portë dhe me shumë mundësi do të jetë eksperienca e tij e cila do të mbrojë katërkëndorin kuqezi edhe në Europian.

Gjithsesi, në këtë pozicion mund të ketë edhe rokadë me Thomas Strakoshën, për të parë edhe gjendjen fizike të gardianit të Brentfordit. Me rikthimin e Berat Gjimshitit, kapiteni do ta nisë nga fillimi dhe krah tij do të vendoset Ardian Ismajli.

Në të djathtë të mbrojtjes ka një dilemë për trajnerin pasi ka një balotazh mes Balliut dhe Hysaj. Anësori i Valekano ishte ai që luajti nga minuta e parë ndaj Lihtenshtejnit, duke bindur me detyrat e tij.

Ndërkohë në krahun e majtë Mario Mitaj duket se e ka të sigurtë gradimin titullar. Në mesfushë mendohet që ta nis sërish Ylber Ramadani, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami. Sa i përket repartit të avancuar, përveç Asanit, krahu tjetër do të mbulohet nga Taulant Seferi, ndërsa përpara tyre pritet të vendoset Armando Broja.

Formacion që sipas gjasave do të përdoret edhe në Euro2024, për të tentuar kalimin përtej fazës së grupeve. Miqësorja Shqipëri-Azerbajxhan do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan, ashtu siç edhe 51 takimet e kampionatit Europian.

Klan News