Miqtë e Shqipërisë i premtojnë mbështetje qeverisë Meta. Në një takim që bënë sot Ministrat Poçi dhe Panda me përfaqësuesit e nismës së Miqve të Shqipërisë, u diskutua mbi problemet kryesore që po kalon aktualisht Shqipëria dhe nismat e ndërmarra në kuadrin e paktit të stabilitetit.

Kryetari i nismës së Miqve të Shqipërisë, Arens përgëzoi për punën e bërë së fundmi nga Ministria e Rendit Publik kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme. I njëjti qëndrim është shprehur dhe në konferencën e mbajtur në fund të takimit. Ne e mbështetëm zotin Poçi, tha Arens, duke mbështetuar dhe policinë në luftën kundër krimit të organizuar ekonomik, drogën dhe kontrabandën. Kjo mbledhje tha Arens është në vazhdim të mbledhjes së nivelit të lartë ndërkombëtar dhe atij vendas të mbajtur në Korrik dhe që atëherë ka shumë përmirësime dhe ka akoma punë për të bërë.

Ministri Poçi tha se Miqtë e Shqipërisë vlerësuan punën e uniformave blu dhe ky është një inkurajim për ta. Lufta ndaj çdolloj krimi tashmë ka hyrë në fazën kulminante tha Poçi ndaj nuk ka kthim pas. Si Ministri Poçi ashtu dhe Arens konkluduan se stabilizimi i rendit në vend, rikthimi i qetësisë dhe normalitetit do të ndihmojnë në integrimin më mirë të Shqipërisë në Paktin e Stabilitetit.

Arens tha se një tavolinë si kjo do mblidhet në fund të Nëntorit, ndërkohë që një tjetër në nivel ndërkombëtar do të mblidhet në fillim të vitit të ardhshëm./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj