Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov deklaroi se nuk do ta dekretojë për herë të dytë ligjin për zyrtarizimin e gjuhës shqipe të miratuar të mërkurën në mbrëmje nga parlamenti. Në një konferencë për shtyp pas seancës së tensionuar ku opozita tentoi të bllokojë seancën, Ivanov e konsideroi ligjin anti-kushtetues dhe në dëm të bashkëjetesës ndëretnike.

“Ligji i gjuhëve për mënyrën se si është hartuar e votuar do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në këto kushte mund të kërkohet ndryshimi i kushtetutës. Ligji është i padrejtë e represiv, që favorizon vetëm një gjuhë. Kjo krijon tensione dhe rrezikon bashkëjetesën ndëretnike”.

Vendimi i Ivanovit për të mosdekretuar ligjin e gjuhëve është në vetvete anti-kushtetues. Kushtetuta e Maqedonisë parashikon në nenin 75, që – nëse presidenti nuk e nënshkruan herën e parë dekretin për miratimin e ligjit, parlamenti e shqyrton përsëri ligjin dhe nëse miratohet me shumicë votash bazuar në numrin e përgjithshëm të deputetëve, presidenti i Republikës së Maqedonisë është i detyruar ta nënshkruajë dekretin. Ligji u miratua pasditen e të mërkurës me 64 votat e shumicës.

Ish-kryeministri Gruevski u përpoq të përplasej fizikisht me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, por u pengua nga rojet e sigurisë. Ndërsa kreu i VMRO-DPMNE-së Hristian Miçkovski tha se do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim, pasi sipas tij është shkelur rregullorja, pasi Xhaferi nuk pranoi diskutimin e 35 mijë amendamenteve të paraqitura nga partia e tij për këtë ligj.

Tv Klan