Komisioni Rregullator në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhën me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, që do të zhvillohen në datën 6 mars 20222”.

Afatet proceduriale të miratuara nga Rregullatori janë si më poshtë vijon:

1.   Bashkitë në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme dhe institucionet e tyre të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022. Të njejtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022, në territorin e bashkive në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme ose për to.

2.       Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje fillon në datën 19 Shkurt 2022.

3.       Zyrat e gjendjes civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022. Brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore miratojnë dhe shpallin listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.

4.       Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ nr. 2, KZAZ nr. 3, KZAZ nr. 4, KZAZ nr. 5, të bashkisë Shkodër, Qarku Shkodër; KZAZ nr. 19, të bashkisë Dibër, Qarku Dibër; KZAZ nr. 21, KZAZ nr. 22, KZAZ nr. 23, KZAZ nr. 24, të bashkisë Durrës, Qarku Durrës; KZAZ nr. 26, të bashkisë Vorë, Qarku Tiranë; në KZAZ nr. 43 të bashkisë Rrogozhinë, Qarku Tiranë; dhe në KZAZ nr. 54 dhe KZAZ nr. 55 të bashkisë Lushnje, Qarku Fier, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 25 Janar 2022. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ- ve jo më vonë se data 27 Janar 2022.

5.       Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-të përkatëse jo më vonë së data 11 Shkurt 2022. KZAZ-të marrin vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 14 Shkurt 2022.

6.       Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ jo më vonë së data 22 Shkurt 2022. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, brenda 48 orëve nga data e dorëzimit të propozimeve.

7.       Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, dhe Komitetet Nismëtare për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

8.       Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë në KZAZ-në përkatëse, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022. KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. KZAZ miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

9.       Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje, në KQZ brenda 24 orëve nga miratimi i të gjitha kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrim si koalicion brenda 24 orëve.

10.   Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, si dhe në KZAZ për bashkitë Vorë, Dibër dhe Rrogozhinë, nga data 6 deri në datën 9 Shkurt 2022. KQZ/ KZAZ bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja/ KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre.

11.   Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 18 Shkurt 2022 dhe për vëzhguesit e huaj bëhet jo më vonë se data 2 Mars 2022. Akreditimi i vëzhguesve bëhet nga KQZ-ja jo më vonë se data 3 Mars 2022.

12.   Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 1 Mars 2022. Akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se data 2 Mars 2022.

13.   Kryetarët e bashkive paraqesin në KQZ listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 27 Janar 2022.

14.   Prefektët e Qarqeve Shkodër, Tiranë, Durrës, Dibër dhe Fier i paraqesin KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 27 Janar 2022.

15.   Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.

16.   Kryetarët e bashkive në detyrë të përcaktojnë vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike jo më vonë se data 10 Shkurt 2022.

Gjithashtu, Komisioni Rregullator miratoi një ndryshim në në regulloren për mënyrën e funksionit dhe zhvillimit të seancave të KAS. Ndryshimi konsistonte në përcaktimin e afatit të ankimimit në KAS, ku për zgjedhjet e parakohshme dhe/ose të pjesshme afati i ankimimit 3 (ditë), bëhet 24 orë.