Komisioni i Ekonomisë miratoi me votat e mazhorancës dy kontratat koncesionare në partneritet me privatin, duke i hapur rrugë votimit në seancë plenare e më pas nisjes së punimeve për segmentet rrugore Milot-Balldre dhe Dukat-Orikum.

Sipas qeverisë, kostot e publikuara nga opozita se një kilometër i rrugës Milot-Balldre kushton 15 milionë euro nuk janë të vërteta. Artan Shkreli tha se ndërtimi i një kilometri të këtij aksi arrin në 5.8 milionë euro, ndërsa për tunelet dhe urat që konsiderohen vepra arti në infrastrukturë, ka një tjetër analizë financiare.

Kompania ANK do të ndërtojë 17.2 kilometrat e rrugës Milot-Balldre për një vlerë prej 213.6 milionë eurosh, ku parashikohen punimet për dy tunele në të dy krahët e rrugës 850 metra të gjatë, si dhe dy ura, ajo e Matit 620 metra e Drinit 223 metra. Po ashtu brenda të njëjtit projekt do të ndërtohen edhe rrugët hyrëse në fshatrat dhe zonat turistike përgjatë këtij aksi.

Segmenti Dukat-Orikum parashikon ndërtimin e një rruge të re që do të lidhë portin e jahteve në Orikum me by-passin e kësaj bashkie dhe me by-passin e Vlorës, ndërsa do të lerë të hapur mundësinë për ndërtimin e një tuneli në të ardhmen. Në total aksi do të jetë i gjatë 14.7 kilometra dhe do të kushtojë 67.3 milion euro, vlerë e cila do të investohet fillimisht nga kompania Gjikuria dhe të do të shlyhet përgjatë 13 viteve nga buxheti i shtetit.

Tv Klan