Ahmetaj: Qytetarëve nuk iu mohohet rruga. Vokshi: Do t’i anulojmë

Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës dy kontratat kocensionare për ndërtimin në partneritet me privatin të dy akseve rrugore “Dukat-Orikum” dhe segmentit “Milot – Balldre”.

Deputetët e opozitës së re kundërshtuan miratimin e këtyre projekteve duke shprehur shqetësimin lidhur me kostot që do të ketë buxheti i shtetit për të paguar në të ardhmen, por përfaqësuesit e mazhorancës thanë se jo vetëm se kostot janë njësoj si të bëheshin me paratë e buxhetit të shtetit, por do të jetë kompania private përgjegjëse për të paguar çdo shtesë që mund të dalë nga vështirësia e realizimit të veprës.

Duke marrë si shembull Rrugën e Arbrit, kreu i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se përpara zgjedhjes që të mos ketë rrugë për qytetarët, dhe asaj të zgjedhjes së një projekti pa risqe, duke investuar kapital të biznesit, socialistët zgjodhën variantin që të ketë rrugë.

Partia Demokratike i denoncoi këto dy kontrata si një vjedhje që kryeministri Rama po i bën qytetarëve dhe se me ardhjen në pushtet do të miratojë ligjin antimafia që do t’i anuloje.

Kompania ANK do të ndërtojë 17.2 kilometrat e rrugës Milot – Balldre për një vlerë prej 213.6 milion eurosh, ku parashikohen punimet për dy tunele në të dy krahët e rrugës 850 metra të gjatë,  si dhe dy ura, ajo e Matit 620 metra e Drinit 223 metra. Po ashtu brenda të njëjtit projekt do të ndërtohen edhe rrugët hyrëse në fshatrat dhe zonat turistike përgjatë këtij aksi.

Segmenti Dukat-Orikum parashikon ndërtimin e një rruge të re që do të lidhë portin e jahteve në Orikum me By-Passin e kësaj bashkie dhe me By-Passin e Vlorës, ndërsa do të lerë të hapur mundësinë për ndërtimin e një tuneli në të ardhmen. Në total aksi do të jetë i gjatë 14.7 kilometra dhe do të kushtojë 67.3 milion euro, vlerë e cila do të investohet fillimisht nga kompania Gjikuria dhe të do të shlyhet përgjatë 13 viteve nga buxheti i shtetit.

Tv Klan