Ligji për Turizmin ka tashmë ndryshime të reja të miratuara nga qeveria. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja Mirela Kumbaro tha se ky draft është konsultuar me grupet e interesit, dhe synon transparencën nga ana e bizneseve.
“Kjo nga njëra anë pasqyron më mirë rregullat e lojës, por është një mekanizëm i domosdoshëm edhe për formalizimin e tregut të turizmit. Për të ecur më shpejt dhe për t’i dhënë nxitje sektorit privat kemi ndërmarrë një sërë ndryshimesh që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave të praktikave burokratike.”
Ndërsa ministri i Financave, Ervin Mete bëri të ditur se Ligji i ri për Turizmin nuk ndryshon asgjë lidhur me taksimin e qiradhënësve individualë. Sipas tij ky sektor kërkon një vëmendje nga ana e qasjes fiskale.
“Në mënyrë që ky sektor të japë kontributin e vet në ekonomi, në mënyrë që të hartohet një metodologji që shërben si metodologji referuese për kapacitetet e shfrytëzimit të strukturave akomoduese sipas sezoneve të caktuara.”
Ndryshimet në Ligjin për Turizmin u ndërmorën në tetor të 2023, ndërsa Shqipëria vitin që lamë pas arriti një rekord prej 10.1 milionë turistësh.
Tv Klan