Miratohen pagesat për 3 mijë familje të dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit



Miratohen pagesat për 3 mijë familje të dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit

22:05 19/06/2020

Veliaj: Do shembim 41 pallate në Kombinat e Kinostudio

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi pagesat për 3 mijë familje që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit. Po kështu u miratua edhe rindërtimi i 200 banesave të shpallura të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj në mbledhjen e zhvilluar online tha se me miratimin e 3 mijë dosjeve të para, qytetarët mund të vazhdojnë t’i kryejnë vetë riparimet e banesave të tyre, ndërsa ky fond është vetëm për ata që kanë një banesë.

“Sot janë 3 mijë familje të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 që marrin pagesat cash. Do të vazhdojmë kështu, nga 3 mijë në çdo mbledhje, që t’i afrohemi sa më shpejt shifrës së 10 mijë dosjeve, të gjitha nga tërmeti i nëntorit. Kemi gati edhe 200 dosjet e para për shtëpitë që do të rindërtohen, kryesisht në zonat rurale. Për të gjithë të tjerët që kanë dy apo tre shtëpi, dua t’i sqaroj se thjesht vonojnë nevojtarët, duke aplikuar për shtëpinë e dytë apo të tretë. Nuk është ky rasti për abuzim”.

Për numrin 1 të bashkisë, shumë shpejt do të nisë edhe shembja e disa pallatave që mbetën të dëmtuar rëndë, kryesisht në zonën e Kombinatit dhe Kinostudios.

“Janë 41 pallate kryesisht në Kombinat, në Kinostudio dhe zonat e tjerë që mund të shemben. Ne do të respektojmë vendimin e ekspertëve dhe më pas do të vijmë në këshill, përpos verifikimit pas konkluzionit final nëse një ndërtesë rikuperohet apo do të shembet”.

Në fund të mbledhjes, Veliaj u shpreh se po punohet për ndërtimin e 17 shkollave në zonën e Unazës së Re. Po kështu po punohet edhe për ndërtimin e këndeve të lagjeve, rehabilitimit të blloqeve të pallateve, si dhe për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.

Tv Klan







Të ngjashme