Hua për paga deri në 3 muaj, përjashtohen rrogat e larta

Qeveria ka miratuar vendimin i cili i hap rrugë aplikimit të bizneseve të mëdha për të marrë kredi të buta në bankat e nivelit të dytë, e cila do të garantohet nga buxheti i shtetit.

Në total fondi për të garantuar këtë hua është 110 milionë Dollarë, dhe bën që të përfitojnë të gjitha sipërmarrjet të cilat do të kërkojnë deri në 3 muaj financim për pagat e punonjësve.

Kusht është vendosur që të dorëzohen të gjitha borderotë e punonjësve, sipas pagës që u derdhet në bankë, por nuk do të mund të merret kredi për rrogat që janë më të larta se 150 mijë Lekë në muaj.

Interesi që do të aplikojnë bankat mbi bizneset do të jetë preferencial, i barabartë me normën mesatare të 3 ankandeve të fundit të bonove të thesarit 1-vjeçare plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85%.

Nëse kompania nuk do të ketë mundësi të paguajë kredinë, atëherë shuma e saj për bankat do të jepet nga buxheti i shtetit.

Vendimi i jep mundësi kompanive që të shtyjnë deri në 3 muaj edhe pagesën e kësteve të kredisë që marrin për këtë qëllim.

Menjëherë pas miratimit të këtyre rregullave, i hapet rrugë lidhjes së marrëveshjes së mirëkuptimit mes qeverisë dhe bankave tregtare, në mënyrë që ato të nisin dhënien e kredive për bizneset që janë në vështirësi pagesën e punëtorëve për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Tv Klan