Miratohet ligji anti-Hong Kong



Miratohet ligji anti-Hong Kong

15:29 28/05/2020

Ashtu siç ishte e parashikuar parlamenti kinez ka miratuar ligjin për sigurinë që i jep fund rebelimit, përmbysjes dhe tradhtisë në Hong Kong.

Kjo gjë ka bërë që qytetarët, por edhe shumë aktivistë e studentë të organizojnë protesta të dhunshme. Sipas tyre kjo gjë shkel liritë dhe autonominë që ka Hong Kongu.

Ligji parashikon gjithashtu se kur është e nevojshme, organet përkatëse të sigurisë kombëtare të Kinës do të krijojnë agjenci në Hong Kong për të përmbushur detyrat përkatëse.

Protestat filluan një ditë më parë ku demonstruesit shkaktuan kaos si dhe dëme të mëdha materiale. Policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës duke shpërndarë turmën.

Përleshjet u intensifikuan edhe më shumë ku një tjetër projektligj është planifikuar nga Pekini që nëse qytetarët e Hong Kongut fyejnë himnin kinez kjo do të konsiderohet krim dhe do të gjobiten me 6450 dollarë dhe do të bëjnë 3 vjet burg. Qindra protestues u arrestuan në Hong Kong.

Sipas Uashingtonit, me miratimin e këtij ligji shkelet marrëveshja e vitit 1997 që do të thotë se Hong Kongu nuk do të jetë më i pavarur nga Kina,  do të humbasë autonominë dhe nuk do ketë më privilegjet ekonomike të tanishme.

Ndërkaq aktivistët pro demokracisë në Hong Kong shprehen se embargot dhe pezullimi i institucioneve ekonomike janë armët e forta që bota duhet t’ia tregojë Pekinit. Kritikët janë shprehur se ky ligj do të sjellë pasoja shumë të rrezikshme dhe do të ndezë një zemërim të madh qytetar.

Hong Kongu iu dorëzua Kinës nga Britania në vitin 1997, nën parimin një shtet, dy sisteme. Sipas këtij parimi, territori ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij, ndërsa Pekini ruan kontrollin mbi çështjet e jashtme e ato të mbrojtjes.

Klan Plus




Të ngjashme