Mazhoranca miratoi në seancën e kësaj të enjteje edhe për zonat e mbrojtura. Opozita e kundërshtoi dhe Gazment Bardhi paralajmëroi se do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ku edhe njëherë planifikohet të gllabërohet pasuria kombëtare e shqiptarëve”, tha Bardhi.

Edhe Jorida Tabaku reagoi duke thënë se ligji është në shkelje të direktivave të Bashkimit Europian. Por të dy deputetëve iu përgjigj ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila tha se dokumenti jo vetëm është në përputhje me direktivat e Brukselit, por ai vendos vija të kuqe në mbrojtje të territorit.

“Nuk do të preket sipërfaqja e territorit të Zonave të Mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territorit të zonave të mbrojtura me bashkitë do të vazhdojnë që të administrohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura”, tha Kumbaro.

Në debat virtualisht është përfshirë dhe kryeministri. Rama i përgjigjet një postimi të Zyrës së BE në Tiranë që thekson se për ligje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozohet konsultim publik dhe se delegacioni do të ndjekë me vëmendje zbatimin e dispozitave ligjore.

Kryeministri thotë se është 100% në një mendje me BE dhe se ndryshimet që i janë bërë ligjit sipas tij janë themelet e ambicies së qeverisë shqiptare për zhvillim të qëndrueshëm.

“Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, tha Rama.

Ndryshimi për ligjin për zonat e mbrojtura erdhi si propozim i 12 deputetëve të mazhorancës ku ishin reflektuar kërkesat e drejtuesve të pushtetit lokal për zhvillimin e qyteteve.

Tv Klan