Vetëvendosja bojkoton seancën, Osmani nuk pranoi ta drejtojë

Katër muaj pas votimit të qeverisë Kurti, me 61 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan qeverinë e re me Abdullah Hotin Kryeministër. Para votimit, Hoti tha se dy prioritetet kryesore të qeverisë së tij do të jenë lufta kundër pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike.

Duke numëruar dështimet e qeverisë Kurti, Hoti ka thënë se kombit i duhet një qeveri që i shërben asaj e jo anasjelltas. Ndërsa ka thënë se do të marrë edhe përgjegjësitë për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e LVV-së. Ishte vetëm shefi i Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi, i cili hyri për të mbajtur një fjalim para votimit të qeverisë Hoti. Tha se seanca e sotme është tentim për të grabitur fitoren e qytetarëve.

“Qeveria që ju po tentoni është rrjedhë e mashtrimit të dyfishtë, qytetarin dhe ne si partner tuaj. Është qeveri ilegale dhe ilegjitime sepse vjen pas shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës”.

Seancën nuk pranoi ta udhëheqë kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani, e cila vazhdimisht ka qenë kundër prishjes së koalicionit LVV-LDK. Pas seancës, Kryeministri i sapozgjedhur Hoti tha se do t’i dalin zot vendit dhe do të punojnë edhe me opozitën.

Deputeti i LDK-së Fatmir Rexhepi ka abstenuar, kundër ka votuar deputetja e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, ndërsa deputeti i Nismës, Haxhi Shala kishte paralajmëruar se do të votojë kundër, por pas një takimi me kreun e AAK-së, ai ndryshoi mendje dhe votoi për qeverinë Hoti e cila arriti të marrë vota të mjaftueshme për të bërë qeverinë.

Ndërkohë, teksa mbahej seanca, disa qytetarë protestuan jashtë objektit të Kuvendit duke brohoritur emrin e Albin Kurtit dhe duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme.

Tv Klan