Komisionet zgjedhore mbeten politike si në 2017

Marrëveshje PO, ndryshim shumë pak. Pas lojës së nervave nën udhëheqjen e ambasadorëve, partitë politike ranë dakord për Reformën Zgjedhore. 

Për çështjen më të rëndësishme, atë të administrimit të zgjedhjeve u deshën 4 ditë negociata.

Në fund u vendos që të mos ndryshojë nga zgjedhjet e kaluara dhe komisionet zgjedhore të mbeten militantë politike, si në zgjedhjet e vitit 2017.

Ajo çfarë është e re në këtë reformë, që përben kusht për negociatat, është identifikimi biometrik.

Sidoqoftë, sistemi elektronik mbetet një risi që do të shtrihet sa të jetë e mundur.

Kryeministri Rama e përcolli me ironi marrëveshjen përmes një statusi në Twitter, ku shkruan: Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata.

I pyetur nga gazetarët se përse u tërhoq nga depolitizimi i administratës zgjedhore, Damian Gjiknuri kujtoi bojkotin e opozitës në zgjedhje.

“Pavarësisht se rekomandimi i OSBE/ODIHR ka qenë që administrata të ishte e depolitizuar dhe qëllimi i PS ishte që këtë ta çonte para, fatkeqësisht PD nuk ishte gati, por tashmë kemi rregulla të pranuara nga gjithësecili. PD hoqi dorë nga kërkesat absurde, si qeveri teknike apo tranzitore, për menaxhimin e zgjedhjeve u pranua që administrimi zgjedhor nuk ka çaluar”.

Por Oerd Bylykbashi tha se depolitizimi sipas versionit të propozuar, ishte një tentativë për kapjen e komisioneve zgjedhore.

“Sot u arrit një marrëveshje. Identifikim biometrik në masë 100% dhe riformatim i Komisionit të Zgjedhjeve. Administrata Zgjedhore do të bëhet siç është sot dhe kjo formulë do të aplikohet pas këtyre zgjedhjeve. U përpoq që të kapte Komisionet Zgjedhore, nuk ia arriti dhe u tërhoq”.

Në anën tjetër, Lulzim Basha nuk e fshehu entuziazmin, teksa shkruan: Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve.

Ambasadorja Yuri Kim foli për një fitore të popullit shqiptar nga kjo marrëveshje.

Jemi shumë të lumtur që Këshilli Politik arriti një marrëveshje sot, në sajë të orëve të gjata të punës së dhënë nga të gjithë ata që kanë qenë në tryezë. Çdo kush ka kontribuar shumë në diskutim, por edhe kanë hequr dorë apo kanë dhënë diçka, dhe e kanë bërë këtë që Shqipëria të fitojë. Dikush do ta kritikojë këtë marrëveshje si jo të mjaftueshme, por po ta shikojmë në një kuadër të gjerë kjo është një gjë për të cilën shpresoj në mbështetjen e të gjithëve. SHBA është krenare për këtë marrëveshje dhe do t’ju mbështesim në rrugën europiane”.

Ndërsa kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca pa tek marrëveshja, përmbushjen e një prej kushteve për integrimin.

“Mazhoranca e pranoi marrëveshjen dhe kjo është ajo që u arrit. Shqipëria është më afër BE-së pas kësaj marrëveshje. Një nga kushtet për çeljen e negociatave të aderimit do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen dhe në momentin e duhur pasi javën që vjen KE do të vendosë kuadrin negociator.

Përmbyllja e një marrëveshjeje për Reformën Zgjedhore, si për asnjë vend tjetër është një nga kushtet e Bundestagut për hapjen e kornizës së negociatave, një vendim që do të merret në datën 8 Qershor, para ndërrimit të presidencës së BE.

Tv Klan