Me 62 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin rreth buxhetit për vitin 2019.

Kuvendi i Kosovës ka debatuar ditë më parë për dy ditë rresht rreth buxhetit të propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, debati pati përfunduar pa votimin e projektligjit, pasi Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje.

Buxheti për vitin 2019 është paraprarë të arrijë shifrën e 2,3 miliardë Eurove.

Ky projektbuxhet nuk është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo ka fituar përkrahjen e subjektit tjetër opozitar, Partisë Socialdemokrate.

Pas shqyrtimit në komisionet përkatëse pritet që Kuvendi ta vendosë këtë projektligj për miratimin final në fillim të javës së ardhshme./REL