Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar këtë të premte rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë. Në një postim në rrjetet sociale, Ministrja e Financave, Anila Denaj thotë se “detyra parësore e çdo qeverie është të sigurojë një nivel jetese sa më të mirë për qytetarët e saj. Çdo punë që të quhet dinjitoze duhet edhe të paguhet në mënyrë dinjitoze. Ja pse, gjatë qeverisjes sonë kemi rritur pagat në mënyrë konstante edhe për të punësuarit në sektorin privat”.

Sipas Ministres, “angazhimi i Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është tregues i vëmendjes që kemi ndaj kërkesave të sindikatave. Bashkëpunimi ndërinstitucional në kuadër të përgjegjësisë sociale ka sjellë si rezultat rritjen e pagës minimale mbi parimin e  “Pagës së Denjë per Punë të Denjë”.

Më herët gjatë mbledhjes së Këshillit të Punës, Denaj theksoi se “paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %.”/tvklan.al