Ndonëse u mbajt seancë e jashtëzakonshme për t’u votuar platforma dhe projektligji për dialogun me Serbinë, të dyja këto nuk u hodhën fare në votim.

Me t’u mbyllur seanca e jashtëzakonshme menjëherë ka nisur punimet e seancës së rregullt plenare e që me propozim të deputetit Memli Krasniqit kanë hyrë si pika të rendit të ditës projektligji për dialogun dhe platforma, të cilat kur u hodhën në votim, morën votat e mjaftueshme të deputetëve.

Por gjatë seancës së jashtëzakonshme, opozita kërkoi që fillimisht të hyjë në fuqi ligji për dialogun e pastaj të votohet platforma, por jo të dyja në të njëjtën seancë. Pasi nuk u përkrah kërkesa e LDK-së, që të shtyhet për një ditë tjetër seanca e jashtëzakonshme, deputetët e dy partive opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes e braktisën atë.

Me t’u miratuar platforma ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se që prej fillimit të seancës ka pasur shkelje procedurale. Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialog, Fatmir Limaj, tha se tani udhërrëfyes në dialog me Serbinë do të kenë këtë platformë.

Miratimin e platformës e ka përshëndetur edhe Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Sipas tij, me miratimin e kësaj platforme, kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm.

Tv Klan