Qeveria rrit pagat dhe shpenzimet për investime publike

Këshilli i Ministrave ka miratuar në një mbledhje të posaçme projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Buxheti për vitin 2021 do të jetë 5.87 miliard dollarë, afro 81 milionë USD më i madh se ai i këtij viti, ndërsa të ardhurat që do të merren nga taksat parashikohet të tkurren me 323 milionë dollarë krahasuar me ato që pritej të mblidheshin këtë vit përpara se të niste pandemia.

Rënia e të ardhurave vjen si pasojë e situatës ekonomike të vendit, por edhe për shkak të lehtësive fiskale që do të hyjnë në fuqi në Janar të vitit të ardhshëm: heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për bizneset me xhiro deri në 10 milion lekë, zerimi i tatimit mbi fitimin për ndërmarrjet me të ardhura vjetore deri në 14 milion lekë dhe heqja e taksave mbi naftën në sektorin e bujqësisë.

Pavarësisht kësaj qeveria synon të rritë shpenzimet për investime publike, duke i çuar për vitin e ardhshëm në 1.2 miliardë dollarë, një rritje me afro 330 milionë dollarë më shumë se këtë vit, ndërsa 80 milionë dollarë të tjera janë shtuar te shpenzimet korrente për rritjen e pagave me 40% për sektorin e shëndetësisë dhe 15% për arsimtar.

Një fond parashikohet po ashtu edhe për indeksimin e pensioneve. Për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti buxheti do të financojë 280 milionë dollarë, ndërsa nuk parashikohen fonde për paketë ndihme për situatën ndaj Covid-19.

Në total fondi rezervë për emergjencat është në masën e 40 milionë dollarëve, ku 10 milionë do të shkojnë për zgjedhjet, 10 për studime projektesh dhe 20 për ngjarjet e paparashikuara. Pagesat për kontrata koncesionare do të arrijnë në 140 milionë dollarë. Pjesën më të madhe e marrin ndërtimi i rrugëve, shëndetësia dhe menaxhimi i mbetjeve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon një nivel defiçiti të lartë 1.08 miliard dollarë, ndërsa borxhi publik do të tkurret lehtë nga 80.9% prodhimit kombëtar këtë vit në 78.6%.  Qeveria projekton se recesioni do të jetë për vitin 2020 6.1%, ndërsa vitin e ardhshëm ekonomia do të nisë të rikuperohet me një rritje me normën 5.5%.

Tv Klan