Një tjetër tunel do të ndërtohet në rrugën Tiranë – Elbasan. Këshilli Teknik në Autoritetin Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e ndërhyrjes në rrëshqitjen e ndodhur vjeshtën e vitit të shkuar në Mamel, në korsinë që lidh Elbasanin me Tiranën.

Tuneli do të jetë i ngjashëm me zgjidhjen e dhënë në rrugën Lin-Pogradec dhe do të kushtojë 4.6 milionë dollarë.

Studimi gjeologjik në këtë zonë konstatoi se rrëshqitja ishte serioze dhe se pastrimi i gurëve të rënë rrezikonte të shkaktonte rrëshqitjen e të gjithë shpatit të malit.

Mësohet se në Këshillin Teknik u paraqitën dy zgjidhje, njëra për ndërhyrjen në shpat dhe tjetra ishte ndërtimi i një tuneli të hapur dhe të shkurtër vetëm në njërën anë të korsisë.

Mësohet se projekti i zbatimit është në fazën e mbylljes dhe pas disa ditësh do të hapet tenderi për të kontraktuar kompaninë që do të zbatojë projektin.

Pas 7 vjetësh rruga Tiranë – Elbasan parashikohet që të mbarojë këtë vit. Në total vepra i ka kushtuar buxhetit të shtetit 450 milion USD.

Tv Klan