Pritet ratifikimi nga Parlamenti spanjoll

Njëzëri me 114 vota Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për ratifikimin e anëtarësimit në NATO. Në këtë seancë solemne morën pjesë ambasadorë të vendeve të NATO-s, krerët e të gjitha partive politike në vend si dhe mysafirë të ftuar nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

“Anëtarësimi në NATO është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe. Që nga aderimi ynë në Partneritetin për Paqe në vitin 1995, ne aktivisht u obliguam që të kontribuojmë për mirëmbajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, veçanërisht në lufën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, u shpreh Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi.

Para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nga dita e sotme do të valëvitet edhe flamuri i NATO-s. Me një ceremoni të veçantë u bë edhe dorëzim-pranimi i flamurit të NATO-s.

Për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike do të miratohet me veprim të anuluar. Kjo do të thotë se ligji do të hyjë në fuqi kur Spanja do ta ratifikojë protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut  në aleancë. Sipas paralajmërimeve nga Madridi, pritet që kjo procedurë të përfundojë nga mesi i Marsit.

Klan Macedonia