Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një polic dhe djali i tij janë vrarë nga një breshëri plumbash në Kaçinar të Mirditës. Fran Prenga është inspektori i zonës dhe djali i tij 16 vjeçar të cilët kanë humbur jetën mesditën e së mërkurës. Drejtori i policisë Lezhë Xhavit Shala konfirmon se është zbuluar autori, por ende janë në kërkim të tij. Ai është Edison Çupi 23 vjeç nga i njëjti fshat.

Mësohet se inspektori i zonës kishte shkuar pak më parë në shtëpinë e Edisonit për ta paralajmëruar për paraqitjen e tij gjykatë, pas kërkesës për divorc të bërë nga e shoqja. Polici Fran Prenga nuk e ka gjetur në shtëpi, e pasi është larguar nga banesa e tij, Edisoni ka zënë pritë në të dalë të fshatit, por nga i mbijetuari një tjetër banor i kësaj zone që ndodhet në Spitalin Ushtarak, mësohet se po shkonin në shtëpi, ku janë qëlluar befasisht.

“Në një kthesë na kanë, me shefin e zonës, na kanë vra, na kanë gjujt dhe unë s’kam parë asnjë lloj se kush na ka gjujt, vetëm na kanë gjujt dy herë breshëri me automatik. Makina është drejtuar drejt përroit, unë me dorën e majtë kam kthy timonin dhe pastaj nuk di se ça është ba”.

Ndihma e parë i është dhënë në Rrëshen punonjësit të postës. Nga mjekët mësohet, se Marku ka frakturë të kockës së krahut dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti