Duke folur për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, ministrja Mirela Kumbaro në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan theksoi se vendi ynë po vizitohet edhe tani në stinën e vjeshtës për turizmin kulturor. Megjithëse sipas saj të ardhurat nga turizmi kanë arritur shifra të larta duke ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit, Kumbaro e zhvendosi vëmendjen edhe tek një problematikë.

“Ekonomia ka ecur shumë më shpejt se sa burimet njerëzore”, tha ajo duke shtuar se problemi kryesor që po has vendi ynë është mungesa e fuqisë punëtore.

Mirela Kumbaro: Ky zgjerim i tregut të turistëve që ka prodhuar edhe agroturizmin, që deri para 4 vitesh nuk e dinim se çfarë ishte edhe aktivitete të tjera natyrore apo shëtitje me varkë në lumenj. Tani të gjithë lumenjtë e mëdhenj të Shqipërisë janë kthyer në atraksione. Shëtitjet në mal, shëtitjet me kalë nuk kanë qenë fare në traditën tonë, por janë biznese të vogla ose të mesme që gjenerojnë ekonominë.

Aldo: S’e përmendëm fare kulturën këtu, turizmin kulturor?

Mirela Kumbaro: Turizmi kulturor është një nga gjërat e rëndësishme që kemi, gati-gati e kemi në xhep, por përveç trashëgimisë kulturore, që është një nga atraksionet që edhe turistët e Shtatorit tani vijnë kryesisht për turizëm kulturor, sepse ndërkohë ra ajo temperatura e madhe, ra ai fluksi i madh dhe tani vijnë ata turistë që shijojnë. Shijojnë Tiranën, Apoloninë, Butrintin, Shkodrën, Krujën pa fund, por nga ana tjetër gjithë ky turizëm i tregut nuk mbahet nëse nuk kemi burime njerëzore. Eci tregu, ka ecur sektori privat, ka ecur ekonomia shumë më shpejt se sa burimet njerëzore, pra krahu i punës i profesionalizuar, sepse nuk e bën dot me një ditë, nuk e bën dot me investim, do të vijë ajo. Kjo është një nga pikat e dobëta. Mungesa e krahut të mjaftueshëm të punës.

Aldo: Po a kemi ne “takat” për të pasur kaq shumë turistë?

Mirela Kumbaro: Nuk kemi pasur, kemi shumë më tepër seç kishim dhe do të kemi shumë më tepër seç kemi sot infrastrukturë. Prandaj përmenda që të gjitha investimet që po bëhen në sektorë të tjerë bën atë që ne duam ta quajmë turizëm i qëndrueshëm, që të mos jetë turizëm masiv, kur na vijnë miliona e miliona. Sigurisht ne jemi në kohën që numërojmë milionat e turistëve që po rriten, numërojmë miliardat e eurove që hyjnë në ekonomi. Në vitin 2023 hynë 4.2 miliardë euro në ekonominë Shqiptare vetëm nga turizmi dhe në 6 muajt e parë jemi në rritje krahasuar me 6 muajt e vitit të kaluar, pra të gjitha këto janë shumë të mira, por që ta bëjmë të qëndrueshëm na duhet ta shtrijmë gjatë gjithë vitit dhe ta shtrijmë në të gjithë territorin./tvklan.al