Mirela Milori

Kur të gjithë mendonim se i kishte ngulur fort « rrënjët » në Amerikë dhe se nuk do ta shihnim më në ekranet shqiptare, ajo na surprizon me rikthimin e saj. Ikona e lajmeve, Mirela Milori rikthehet në oborrin e televizionit Klan, por kësaj here ka është pjesë e Televizioni Informativ, ABC News.

Nuk është koiçidencë, por daljet e saj në ekran gjithmonë memorizohen. Siç ishte rasti kur doli për herë të parë në ekranin e televizionit Klan dhe bëri diferencën. Edhe dalja e saj tek « Zëri i Amerikës », na bëri të ndihemi krenarë.

Të gjithë mendojnë se ndonjë ofertë e majme e ka tunduar të rikthehet në Shqipëri, por jo, sepse oferta e televizionit Klan ka qenë gjithmonë e hapur, mjaftonte « PO »-ja e saj. Rikthimi i dedikohet dëshirës për të punuar me të njëjtin staf para 16 vjetësh dhe formatit të televizionit ABC. Por ama, vendin e Klanit nuk e ka zënë asnjë ekran tjetër, ashtu siç ndodh me dashurinë e parë.

Tashmë, nëna e një djali të vogël, Mirela Milori nuk nxiton të pranojë çdo lloj oferte, sepse më shumë se çdo gjë vlerëson ambjentin dhe stafin, e këto i ka gjetur vetëm në “familjen Klan”. Ndërprerja e punës në « Zërin e Amerikës » nuk ka qenë aspak me dhimbje, sepse morri më të mirën nga ajo eksperiencë, që padyshim veçse unike mund të quhet. Ngjitja e shkallëve të Mirelës nuk ka formulë tjetër veçse punës, ndaj mos besoni në rastësitë e jetës.

Mirela me djalin

 

 1 – Çfarë ju bëri të lini Amerikën dhe të riktheheni në Tiranë?

Kishte ardhur momenti të rikthehem. Puna në “Zërin e Amerikës” (VOA) ishte cikël që u mbyll.

2- Pse ekranin e ABC-News dhe jo sërish Tv Klan-in?

Në një ambjent pune para së gjithash vlerësoj njerëzit me të cilët punoj. Për mua primare është stafi. Në ABC janë të gjithë kolegë me të cilët kemi punuar në Tv Klan 16 vite më parë dhe jam shumë komode me ta. Kjo është arsyeja kryesore, ndërsa arsyeja tjetër është për shkak të formatit. Të jesh për 3 orë në transmetim live është përtej limiteve, çka do të thotë se kaq orë rezistojnë vetëm gazetarët e kualifikuar. Ftesa për tu rikthyer në ekran kishte kohë që më ishte bërë dhe unë zgjodha të rikthehem pikërisht tani.

Klani është i pazëvendësueshëm në të gjitha aspektet. Është është pjesë e pandashme e jetës. Akoma ka njerëz  në rrugë që më identifikojnë vetëm me Klanin.

3 – Sa i vështirë ka qenë fillimi në ekran?

Sigurisht që nuk ka qenë i lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për vitet e vështira për Shqipërinë 1997-1998. Unë kisha 1 muaj në ekran kur ndodhën ngjarjet e 14 shtatorit  të vitit 1998. Përpos vështirësve të kohës, ne ia dolëm mbanë të mos dezinformonim. Di të them që ia vlejti e gjithë sakrifica.

4- Keni 16 vjet në ekran, cilat janë ato momente që i kujtoni me buzëqeshje dhe cilat me dhimbje?

Vërtet që ka shumë momente që më kanë gëzuar gjatë karrierës, ashtu siç ka nga ato që edhe më kanë trishtuar.  Kujtoj me trishtim ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998, luftën e Kosovës, ngjarjet e 21 janarit. Kam qenë tek “Zëri i Amerikës” dhe ndjeja dhimbje që po jepja një lajm për atë çka kishte ndodhur në vendin tim. Ngjarje të tilla janë të mira për një gazetar, por kurrsesi kur bëhet fjalë për vendin tënd. As si gazetare dhe as si qytetare nuk do të doja t’i shikoja kurrë më ato skena.

Sa i përket ngjarjeve të gëzueshme, mund të veçoj zgjedhjen e parë të Barak Obamës në krye të “Shtëpisë së Bardhë”.

5- Si do ta përkufizonit eksperiencën 6-vjeçare në “Zërin e Amerikës” ?

Padyshim një eksperiencë unike. Është një vlerë e shtuar për mua. Kam gjetur miq shumë të mirë. Unë kam marrë më të mirën nga kjo eksperiencë.

6 – Ka mundësi të ripërsëritet?

“Kurrë mos thuaj kurrë” – ky është edhe rasti im.

7 – Sa e madhe është diferenca mes medias amerikane dhe asaj shqiptare?

Për fat të keq është e madhe. Në median amerikane nuk mund të hysh pa qenë gazetare e lexuar, ndërsa në median shqiptare hyhet edhe pa lexuar. Një tjetër ndryshim po kaq i madh, është se në Amerikë ka vlerë çdo sekondë, ndërsa në Shqipëri abuzohet shumë me kohën televizive.

8- Çfarë këshille do t’i jepnit gazetarëve të rinj?

Nuk ka këshillë tjetër veçse të punojnë sa më shumë. Puna është rruga drejt suksesit.

 9- E keni menduar se çfarë do t’ju shkëpuste nga ekrani?

Nga ekrani mund të më shkëpusë vetëm dëshira. Kur unë të mos kem më dëshirë për të punuar në ekran, atëherë do t’i them “stop” dhe do të merrem me çfarëdo lloj gjëje tjetër. Edhe sikur me lulet të merrem, nëse ajo do të jetë dëshira ime do ta ndjek.

10- Djali vazhdon shkollën në Amerikë, sa e vështirë është kjo marrëdhënie në distancë?

Është pak e vështirë, por ia vlen të sakrifikosh kur bëhet fjalë për shkollimin. Menjëherë sapo të mbarojë shkollën do të vijë tek unë, do të kalojmë bashkë pushimet dhe do ta shëtis në çdo cep, do bëj të pamundurën ta njoh sa më shumë me Shqipërinë.

11- Çfarë profesioni do të donit të merrte djali?

Aideni do të bëhet çfarë të ketë dëshirë. Unë nuk do ta pengoj në zgjedhjet e tij, as nuk i imponoj asgjë. Megjithëse ka marrëdhënie të mira me kamerën, por unë do ta lë të lirë ta bëjë vetë zgjedhjen.

12 – Do të ndryshoni ndonjëherë look?

Unë nuk është se nuk kam ndryshuar ndonjëherë modelin e flokëve, madje edhe i kam çelur, por asnjë nuk më njeh.

Intervistoi: Mitka Sejdini