Finalja e madhe e “X Factor Albania” ka një të ftuar shumë speciale. Arbana Osmani shfaqet pas 2 vitesh në ekran dhe pikërisht në Televizionin Klan.
Bashkë me Alketa Vejsiun ato patën të njëjtin start në fushën e televizionit dhe radios. Më shumë se një çerek shekulli ato kanë qenë bashkudhëtare të njëra-tjetrës dhe mbrëmjen e sotme bëhen bashkë në këtë natë të madhe surprizash.
Ishte vetë Alketa Vejsiu ajo që e kishte lajmëruar më herët ardhjen e Arbana Osmanit në skenën e “X Factor”. Mes emocionesh, me zërin që i dridhej dhe sytë që i shkëlqenin, me fjalë të ndjera ajo priti në skenë miken e saj të ngushtë.
“Historia ime nuk është vetëm historia ime, por është edhe historia e një 14-vjeçareje tjetër. Ne e kemi filluar nga e njëjta kuti, nga kutia magjike e radios. Nga kutia që prezantonte këngë, muzikë e jetë tek rinia shqiptare. Është historia e dy vajzave që fjalë kishin muzikën dhe muzikën e kishin jetë. 2 vajza që erdhën në jetë nga i njëjti “Bing Bang”, nga radioja e parë komerciale, muzikore shqiptare, por që krijuan dy universe paralele, duke u përkuar 2 konselacioneve të ndryshme. Thonë se të gjithë ne jemi të përbërë prej pluhuri yjesh, copëza të vogla të kozmosit të ndezura nga i njëjti shpërthim që ndez përjetësinë. Çdo yll po ta vini re gjen vendin e vet në qiell pa i zënë rrugën tjetrit, pa u zbehur, pa u shqetësuar nga ajo që quhet konkurrencë kozmike. E dini pse universi nuk është një “reality show”, sepse nuk ka eliminime, nuk ka çmime, nuk ka garë apo strategji të veçantë për të shkëlqyer më shumë se sa ylli tjetër”.
“Ndonëse ndajnë të njëjtin qiell, çdo yll gjen vendin e tij dhe vendoset, dritën e tyre e gjejnë po ashtu dhe kështu yjet mund të ndriçojë pa ia marrë dritën njëri-tjetrit. A nuk është kjo magjia e vërtetë e ekzistencës, duke shkëlqyer si vetvetja pa zbehur askënd tjetër?! Kjo skenë, këto drita, kjo skenë sonte është rezervuar për një mike shumë speciale me të cilën ndaj të paktën çerek shekulli histori si bashkudhëtare. Qielli nuk është kursimtar dhe unë njësoj si qielli. Ka vend për një yll që mund të shkëlqejë më shumë. Sot në orbitën e këtij spektakli vjen një yll që çdo natë juve ju ka marrë zemrën dhe është identifikuar me frazën “Mirëmbrëma yje”. Sonte është radha ime t’i them mirëmbrëma yll, shkëlqe më shumë se të gjithë.”/tvklan.al