Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se dialogu nuk duhet të jetë përgjegjësi vetëm për një parti në Kosovë, por për të gjitha subjektet politike.

Sipas Lajçak nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet gjatë mandatit të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

“Do të shpresoja të vija më shpesh këtu, unë kam ardhur në një Kosovë që kanë përfunduar zgjedhjet dhe që i kanë dhënë një mandat të fortë Osmanit dhe Kurtit. BE-ja dhe ShBA-ja janë në partneritet dhe dëshirojnë që me ardhjen e administratës Biden marrëdhënia të jetë afërt se sa parashihej. Uniteti politik në Kosovë dialogu nuk është përgjegjësi e një partie apo qeverisë, por e të gjitha partive politike”, tha ai.

Lajçak ka folur edhe rreth hartës në zyrën e tij ku Kosovën e paraqiste si pjesë të Serbisë, duke shtuar se s’ka menduar të ofendojë askënd me hartën në zyrën e tij, e në të cilën kufijtë e Kosovës nuk shënoheshin sikur të shteteve tjera në Ballkan.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të zhvillohen takime në kuadër të dialogut.

Klan News