Drejt fundit të intervistës për “Opinion” në Tv Klan, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se pas zgjedhjeve të 11 majit do të ndjekë hapa për të mbrojtur votën e lirë. Gjatë gjithë bisedës në studio, ai i konsideroi këto zgjedhje si “farsë elektorale” dhe është i bindur se këtë proces do ta realizojë me sukses.
Sali Berisha: Ne vazhdojmë përpjekjen tonë ndërkombëtare, pse ndërkombëtare? Sepse zgjedhjet janë procees sa kombëtar, aq dhe ndërkombëtar. Është e vërtetë që ne do të shkojmë pranë gjithë parlamenteve europiane të vendeve të lira, Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pranë ministrive të jashtme të këtyre vendeve, pranë ambasadave të akredituara pranë institucioneve ndërkombëtare dhe do të paraqesim, do të mbrojmë votën e qytetarëve shqiptarë. Ky proces do të kurorëzohet me sukses. Kjo nuk e zgjidh, problemi nuk zgjidhet vetëm me faktorin ndërkombëtar. Do të rikthehemi që Partia Demokratike është e aftë të bëjë çdo analizë dhe të marrë çdo vendim, por një gjë: Nuk do të mund të përdorë kush favoret e farsës.
Berisha pranoi se Partia Demokratike ka nevojë për ripërtëritje, por nuk dha një përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë me drejtimin e selisë blu. Ai përsëriti se “është në një mision” që e cilëson “më të rëndësishëm e të vështirë” dhe “do të bëjë gjithçka që ta arrijë”.
Blendi Fevziu: A e mendoni të tërhiqeni vetë? Jo nga partia, sepse unë kam bindjen që tërheqja juaj nga partia mund të krijojë një kaos në PD, por a mund të lini një garë për një drejtues të ri të ardhshëm të garës elektorale?
Sali Berisha: Sali Berisha është në një mision, nuk kam asnjë interes personal unë, por një mision pothuajse më i vështirë dhe i rëndësishëm se ai i ‘91, për t’u rikthyer votën shqiptarëve.
Blendi Fevziu: Sa kohë mund t’ju marrë ky rrugëtim?
Sali Berisha: Unë do të bëj gjithçka ta arrij. Unë një gjë them, po ta dija që nuk e arrij nuk e ndërmarr. Kam një gjykim gjakftohtë në këtë mes dhe unë jam i bindur që do ta arrij.
Berisha tha se duhet të jemi të gatshëm “të paguajmë çdo çmim” për këtë dhe shpreh besimin se qytetarët do ta ndjekin.
Sali Berisha: Në qoftë se ai kërkon të mbajë me çdo kusht pushtetin, ne duhet të paguajmë çfarëdo çmimi për votën e lirë.
Blendi Fevziu: Cili është çmimi?
Sali Berisha: Çdo çmim! Ne s’dorëzohemi kurrë pa këtë votë të lirë.
Blendi Fevziu: Por për këtë çmim duhet t’ju ndjekin mbrapa qytetarët, mendoni se do ju ndjekin?
Sali Berisha: Unë kam besim se po!/tvklan.al