Takohet sot me Biden, synimi është rigjallërimi i marrëdhenieve me SHBA

Kancelarja gjermane Angela Merkel takohet këtë të enjte me presidentin amerikan Joe Biden. Ajo ndodhet në Shtetet e Bashkuara në vizitën e saj të fundit jashtë vendit para se të largohet nga posti i kancelares pas 16 vitesh, në muajin Shtator.

Misioni i saj i fundit është rigjallërimi i marrëdhënieve me aleatët e mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që u zbehën gjatë administratës pararendëse të Donald Trump-it.

Joe Biden ka premtuar se do të ndjekë një kurs politik të ndryshëm nga ai i Trump-it, ku Amerika nuk do të jetë më e para, por rikthehet si mbështetës i fuqishëm i aleatëve.

Megjithatë, ndër temat e mprehta që vazhdojnë të krijojnë ndasi është edhe gazsjellësi, Nordstream 2, që çon përmes detit të veriut, gazin rus në Gjermani dhe që për Uashingtonin është i papranueshëm.

Angela Merkel është e para udhëheqëse europiane që viziton Uashingtonin gjatë administratës Biden, i cili është i katërti president amerikan që ajo takon gjatë 4 mandateve në krye të qeverisë gjermane.

Tv Klan