Parandalohet një ngjare e mundshme kriminale

“Mision i pamundur” mban emri një operacion policor, që çoi në arrestimin e një 48-vjeçari në Shkodër, i cili dyshohej se mund të kryente vrasje me pagesë.  

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me një motomjet pa targa  i cili kishte armë me vete dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të porositur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mision i pamundur”. Falë ndërhyrjes në kohë, në fshatin Guri i Zi, forcat e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit G. B, 48 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim dhe dhunë në familje”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Në momentin e kapjes, 48-vjeçarit iu gjet në çantën e krahut që mbante me vete një automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë luftarakë.

Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e arsyes së qarkullimit me armë zjarri me silenciator dhe motomjet pa traga./tvklan.al