BE dhe SHBA pritet të koordinojnë veprimet për të përafruar qëndrimet e Serbisë dhe Kosovës. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në fillim të muajit Shkurt, në kuadër të përpjekjeve për të organizuar takime të reja të dialogut.

Në takimet që Lajçak do të ketë në Prishtinë dhe Beograd, do të jetë i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pritjet janë që Lajçak dhe Escobar të vizitojnë fillimisht Beogradin dhe më pas do të jenë në Prishtinë me 1 dhe 2 Shkurt. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se këto takime të të dërguarit të posaçëm të BE-së janë pjesë përbërëse e axhendës së tij.

Brukseli ka paralajmëruar se presin që në dialog të hapet edhe çështja e organizimit të votimeve në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare te Serbisë që mbahen me 3 Prill. Institucionet ndërkombëtare kanë pritshmëri që të gjendet një zgjidhje e mundshme para zgjedhjeve parlamentare serbe në kushtet që autoritetet kosovare kundërshtuan votimin për referendumin kushtetues në territorin e tyre.

Blloku evropian ka shprehur keqardhje për këtë vendimarrje para edhe pas përfundimit të këtij referendumi. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabic pritet të vizitojë Brukselin javën e ardhshme. Bërnabic ka paralajmëruar se do të kërkojë nga BE-ja që serbëve në Kosovë t’iu mundësohet votimi në zgjedhjet e Serbisë.

BE ka pasur ambicie që të zhvillojë një takim të nivelit të lartë në fund të vitit të kaluar, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur me sqarimin se palët nuk kanë shprehur vullnetin e duhur për të arritur ndonjë rezultat. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 por ende palët nuk kanë arritur në një marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjelltë mes dy shteteve.

Klan News