Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ethet e thesarit të Gurit të Borjes janë ndezur më shumë se kurrë. Misioni sekret i ndërmarrë nga vetë shteti shqiptar është dekonspiruar krejt papritur. Makina policie, alpinist, harta të vjetra, zonë e ndaluar, shpërthime të fuqishme dhe thashetheme. Kjo përbën kronikën e këtyre ditëve në malin e gurtë të Borjes.

Policia ka urdhër të mos jap të dhëna, fshatarët kanë frikë të tregojnë, alpinist dhe njerëz të autorizuar në misionin top sekret vazhdojnë gërmimet në fshehtësi. Ndoshta që në kohën e Skënderbeut mali i mistershëm ka ngjallur kërshëri nga që banorë të zonës kanë vënë re se atje punonin njerëz të huaj në fshehtësi. Idriz Tereziu banor i fshatit Mirakë tregon.

“Flitet që këtu ka një sasi të madhe floriri. Këtë nuk e di njeri efektivisht, por ka sasi të madhe, për arsye se kjo është ruajtur nga shteti në kohët e lashta”.

Kërkimet kanë vazhduar edhe në shpellë por pa rezultat. Tani po gërmohet në rrëzë të malit, pas humbjes së shpresave në majë të Gurit të Borjes, në qafën e malit dhe në shpellën e Tereziut./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj