Drita Ziri, 18-vjeçarja nga Fushë-Kruja rrëmbeu vendin e parë

Mëngjesin e së Martës studion e lajmeve të Klan News e ka zbukuruar Drita Ziri, Miss Earth 2023.

18-vjeçarja nga Fushë-Kruja rrëfen se si ndihet pas fitores në një kompeticion të madh ndërkombëtar.

“Nuk është se nuk e prisja sepse nuk ishim të përgatitur, por nuk e prisja sepse Shqipëria nuk është vlerësuar asnjëherë në këto stade dhe asnjëherë nuk ka qenë në top 20 më përpara në Miss Earth. Ka rregulla që duhet të ndjekësh. Nuk mund të flasësh me njerëzit në rrugë, sidomos në Vietnam aty ku ndodheshim ne duke qenë se ne kishim shumë vëmendje nga njerëzit.”

Drita tregon edhe planet e saj përgjatë 2024 si mbajtëse e kurorës së Miss Earth.

“Eventet do të jenë dyfish më shumë. Duke qenë se u kurorëzova në Vietnam automatisht do të jem e ndarë. Shqipërinë nuk e harroj dot. Do të frekuentoj të dyja vendet. Përveç këtyre zakonisht ne shkojmë që të kurorëzojmë përfaqësueset e tjera në botë që do të marrin pjesë në Miss Earth 2024.”

Miss Earth shprehet se familja janë mbështetja më e madhe për të.

“Kjo liria dhe ky suporti që kam pasur nga ato më ka dhënë besim tek vetja që të jap më të mirën time. Nuk stepem ndaj gjërave të reja duke qenë se kam fuqinë të marr vendime të mira dhe të sakta dhe duke e ditur se kam gjithmonë opinionin e tyre.”

Përveç botës së spektaklit, 18-vjeçarja nga Fushë-Kruja ka zgjedhur të studioje për Turizëm.

“Ka një temë më interesante se turizmi dhe eventet. Janë tema ndërkombëtare, janë gjëra shumë të rëndësishme në të gjithë botën dhe që mua më përshtaten duke qenë se unë jam në evente gjithë kohës dhe tani edhe në Miss Earth do të jemë ambasadore e tokës, turizmit, ekoturizmit.”

Drita Ziri në vitin 2022 rrëmbeu edhe kurorën si vajza më e bukur në Miss Shqipëria që u mbajt në kalanë e Porto Palermos.

Klan News