Një konkurs bukurie, por pa sfilatë me bikini.

Tingëllon ndoshta e çuditshme, por kështu do të zhvillohet “Miss Gjermania” nga viti 2019. Asnjë nga konkurentet nuk do të dalë më me bikini para jurisë dhe publikut.

Lajmërimi është bërë nga organizatori i konkursit Max Klemmer, i cili thotë se gara tani do të fokusohet më së shumti në “personalitetin” e të bukurave gjermane dhe për këtë arsye kategoria “Bikini” nuk do të jetë më e nevojshme.

Këto rregulla do të vendosen edhe në garën për Mister Gjermania, ku as djemtë nuk do të shfaqen më me kostum banjoje.

Ndryshimi në konkursin e bukurisë që ka nisur që prej vitit 1927 në Gjermani, vjen vetëm një vit, pasi edhe organizatorët e Miss Amerikës morën po ashtu një vendim të tillë, si një formë për t’i bërë garueset të nxjerrin në pah inteligjencën dhe vlerat e tyre.

Ndonëse organizatorët sqaruan për publikun se bukuria fizike e konkurenteve ka një rëndësi të madhe në këtë konkurs, vendimi u prit me një stuhi komentesh ironike në internet.

Tv Klan