Studioja e emisionit “Rudina” në Tv Klan mirëpriti më të bukurat e trojeve tona, vajzat e “Miss Shqipëria 2021”. 26 bukuroshet pjesëmarrëse do të ndalen në kalanë e Petrelës pas 23 vitesh që eventi nuk është zhvilluar në këtë lokacion, për të kurorëzuar vajzën që do të fitojë çmimin e madh të më të bukurës së Shqipërisë.

Eventi madhështor do të transmetohet në Klan Plus, ditën e shtunë, ora 20:35.

Nata e madhe do të vijë pas një pune të lodhshme të vajzave dhe stafit. Edhe pse gjithçka ka ndodhur në një muaj, intensiviteti ka qenë tepër i lartë për realizimin  e përgatitjeve, por për të gjitha detajet dhe rrugëtimin e bukur të vajzave, flet në mënyrë më të hollësishme regjisori Petri Bozo.

Rudina Magjistari: Sa kohë ka që ka nisur përgatitja për këtë edicion?

Petri Bozo: Pas netëve të klipit, menjëherë. Më 6 Qershor ishte finalja e klipit në Ulqin, më 8 Qershor u mblodhëm për audicionet, më 12 mbaruan audicionet, më 14 shpallëm fitueset.

Rudina Magjistari: Në kohë rekord i bie ta keni mbaruar. Mendova se kishit muaj që merreshit me këtë.

Petri Bozo: Po, kështu duket në fakt, por jo.

Rudina Magjistari: Bravo. Ia keni marrë dorën tani, 23 vite. Janë 23 vitet që punojnë tani për ju, nuk lodheni më. Çfarë sjell të re ky edicion?

Petri Bozo: E para, është një lokacion i ri. Është një histori tjetër që mbart shumë mistere brenda vetes, Petrela. Unë personalisht jam lindur dhe rritur në Tiranë dhe e kam pasur zonën time, se ne familjarisht kemi patur miq në fshatin Thikas, poshtë kalasë së Petrelës. Është fisi i madh i Kacanëve që kanë lidhur gjak me gjyshin tim dhe ne jemi rritur në kopshtet e tyre dhe tani pijmë kafe çdo ditë, një lloj suporti. Madje njëri prej tyre që gjuan akoma, ka historinë e baballarëve të vet, se i tregova vajzave si është kapur peshku në lumin Erzen se asnjë nuk e di. “O me grep o me rrjetë”. Jo, është kapur me një lloj rrjete të vogël që quhet plumbçe dhe hidhet si rrjetë merimange. Ia demonstroi vajzave kur bënë dy aktivitete, këtë punën e peshkimit dhe një zipline të çmendur që është linja më e gjatë në Ballkan aktualisht që hidhesh nga Petrela dhe përfundon në anën tjetër të lumit, 1250 metra.

Rudina Magjistari: Tjetër ku keni shtegtuar sepse Miss Shqipëria njihet gjithmonë për këtë traditën e vet që promovon vende të bukura të Shqipërisë?

Petri Bozo: Ne bëmë një tur interesant në Veri që nuk kishim qenë më përpara, u ngjitëm deri ën Tamarë, në bjeshkë nën suportin e një biznesi që kemi partner dhe po ashtu në një strukturë turistike në Velipojë dhe pastaj u përqendruam kryesisht në zonë se koha që kishim në dispozicion ishte shumë e shkurtër, në zonën e Golemit ku kemi partnership me “Diamant Resort” dhe këtë javë ia kemi dedikuar komplet zonës së Petrelës dhe së Tiranës pak, por kryesisht Petrelës me gjithçka që përmban ajo, qoftë agroturizëm, adrenalinë, gjithçka. Kanë qenë ditë goxha të vrullshme, por me një kuriozitet shumë të madh besoj. Në Velipojë, i kam shpjeguar vajzave që ka një rërë shumë të veçantë pasi duke qenë e zezë, ka një përqindje shumë të lartë jodi dhe bën mirë për gjithë pjesën e sëmundjeve reumatizmale, është shumë e shëndetshme.

Rudina Magjistari: Shkohet lehtësisht në Tamarë?

Petri Bozo: Po, është bërë rruga shumë e bukur, deri në Lëpushë dhe Vermosh, fshati është i strukturuar bukur, me bujtina. Fabrika ishte afër një burimi që në 12 muajt e vitit uji brisk nuk pushonte. /tvklan.al