Misse Beqiri, motra e Flamur Beqirit që u vra në Londër në një sulm me armë, është shfaqur në publik dy javë pas ngjarjes së rëndë. I dashuri i saj Jake Hall ka thyer heshtjen dhe ka publikuar në Instagram tre foto, ku shfaqen ai, Misse Beqiri dhe vajza e tyre 2 vjeç në plazh.

“Mbani kokën lart dhe vazhdoni të buzëqeshni”, është mesazhi që ai ka ndarë në rrjetin social krahas tre fotove të publikuara. Misse Beqiri shfaqet me një buzëqeshje të sforcuar për hir të vajzës së saj, edhe pse dhimbja është e madhe për humbjen e vëllait.

Vëllai i Misse Beqirit, Flamur Beqiri u vra jashtë shtëpisë së tij në Londër ditën e Krishtlindjes në prani të bashkëshortes Debora Krasniqi dhe fëmijës së tyre të mitur.

Ai u qëllua gjakftohtësisht disa herë me armë dhe mbeti i vdekur në vend. Flamur Beqiri, që njihet edhe me emrin Alex, ishte me nënshtetësi suedeze pasi ishte rritur dhe kishte jetuar prej vitesh në Suedi përpara se të emigronte në Londër.

Policia dyshon se 36-vjeçari u vra për shkak të konflikteve për pazaret e drogës. Në Suedi, Flamur Beqiri kishte patur çështje penale për trafik droge, dhe pyetja që kanë ngritur mediat britanike është si ka mundësi që ishte lejuar të qarkullonte lirisht në Angli dhe të blinte një shtëpi 1.7 milionë Paund në Londër.

Flamur Beqiri, bashkëshorja dhe djali i tyre

Autoritetet britanike janë duke bashkëpunuar me kolegët e tyre suedezë rreth të kalurës së Flamur Beqirit dhe po hetojnë në lidhjet e pretenduara që ka pasur me bandat e drogës në qytetin Malmo në Suedi, ku u rrit pasi emigroi nga Kosova kur ishte fëmijë.

Zyrtarisht, Flamur Beqiri rezulton që të jetë pronar i një shtëpie diskografike. “Daily Mail” ka mësuar se gruaja e tij u ka thënë miqve që bashkëshorti nuk i tregonte asnjëherë për biznesin e tij. /tvklan.al