Rusia e Ukraina lëshojnë akuza të ndërsjella, pretendohet se në bord ishin 65 robër ukrainas lufte
Ende asnjë e dhënë e konfirmuar për rrëzimin e një avioni ushtarak transporti rus, për të cilin autoritetet ukrainase dhe ruse kanë dhënë informacione kontradiktore.
Ukraina që besohet se përdori sistemin anti-raketor Patriot, tha fillimisht se avioni i modelit Il-76 transportonte raketa të modelit S-300, por rusët e përdorën menjëherë rastin për propagandë dhe thanë se në bordin e avionit përveç ekuipazhit, kishte dhe 65 të burgosur lufte ukrainas që do të shkëmbeheshin. Sipas Moskës, robërit e luftës po transportoheshin në rajonin Belgorod të Rusisë.
Zyrtarët në Kiev bënë thirrje kundër shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara.
Rusët që në të kaluarën i kanë rrëzuar vetë gabimisht avionët e tyre, filluan menjëherë një luftë informacioni duke lëshuar lajme përpara se ekipet e emergjencave të arrinin në vendngjarje. Sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes, radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni ukrainas i Kharkiv-it në kufi me Belgorodin. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e quajti sulmin “një akt terrorist.”
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti, duke cituar ministrinë e Mbrojtjes, tha se robërit ukrainas po transportoheshin në rajonin kufitar për t’u shkëmbyer me të burgosurit rusë të luftës që mbahen nga Ukraina.
Forcat ajrore ruse janë përballur me një seri rrëzimesh të avionëve të tyre, ndërsa analistët ushtarakë thonë se kjo është rrjedhojë e një numri më të madh fluturimesh mes luftimeve në Ukrainë.
Më herët të martën, një sulm rus me raketa shkaktoi 18 të vrarë dhe 130 të plagosur. Sulmet goditën 130 ndërtesa banimi në tre qytete të Ukrainës. Sulmi i Rusisë, i cili përfshinte objektiva në kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv, ishte më i madhi në javët e fundit dhe u dha peshë thirrjeve të Presidentit Zelensky për aleatët perëndimorë që të ofrojë më shumë ndihma ushtarake.
Klan News