Mbetet mister vendodhja e Klemend Balilit, i akuzuar nga autoritetet greke si një prej kokave të një rrjeti të fuqishëm të narkotrafikut në Europë. Seksioni grek i CNN, thotë se 44-vjeçari ndodhet në Shqipëri dhe se mbetet ende e paqartë nëse Balili do t’i dorëzohet policisë greke, pasi më parë autoritetet e vendit fqinj duhet të ndjekin procedurat gjyqësore që mundësojnë ndalimin dhe ekstradimin e tij.

Në kundërpërgjigje të shkresës së dërguar nga ambasada shqiptare në Athinë, ku vihej në dyshim vërtetësia e informacionit se policë shqiptarë u kishin deklaruar homologëve grekë për pamundësinë e arrestimit të Balilit për shkak të lidhjeve politike të tij, CNN thotë se kjo frazë u është thënë drejtuesve të policisë greke nga një efektiv shqiptar. Takimi  është mbajtur në Shqipëri dhe polici shqiptar mësohet t’i ketë thënë homologut grek se «Atë në Shqipëri nuk mund ta prekim, pasi ka lidhje dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”.

Megjithate CNN grek nuk citon as se kush është ky polic shqiptar, që ka bërë këtë pohim sipas kësaj media, as gradën apo pozicionin e tij zyrtar, duke e mbështjellë akoma më shumë me mister këtë detaj. Sipas CNN hetimet nga DEA amerikane dhe takimet e palës greke në Shqipëri janë kryer në fshehtësi të plotë, nisur nga të dhënat se Balili ishte person me lidhje politike. Ndërkohë nga ana e organeve të drejtësisë shqiptare, çdo veprim mbetet në pritje nga hapat e mëtejshëm të drejtësisë greke. Policia shqiptare, e kishte mbajtur nën vëzhgim Balilin me vullnetin e saj, por në mungesë të një urdhër ndalimi nga prokuroria, nuk ka mundur të ndërhyjë, ç’ka i ka dhënë mundësi atij të humbë gjurmët kur oficerët e policisë kanë dashur t’i komunikojnë atij detyrimin për qëndrimin në qytet deri me sqarimin e situatës.

Tv Klan