Pjesa veriore e barrierës së madhe koralore në Australi ka nxjerrë në pah një korale gjigande, për të cilën shkencëtarët thonë se nuk është parë që prej 120 vitesh. Ky shkëmb koralor kap gjatësinë e 500 metrave, po aq sa edhe ndërtesa Empire State në New York, apo Petronas Twin Towers në Malajzi.

Shkencëtarët, gjatë misionit të tyre 12 mujor e gjetën këtë strukturë të shkëputur nga barriera e madhe koralore, pak më larg gjirit York javës që kaloi. Ekipi përdori një robot nënujor për të eksploruar koralet.

Roboti i njohur si SuBastian, transmetoi të dielën pamje live të këtij zbulimi që më pas u shpërndanë në You Tube.

“Të gjesh një korale gjysmë kilometri të gjatë në brigjet e gjirit York, zonë kjo mjaft e njohur e barrierës koralore dëshmon se sa misterioze është bota përtej brigjeve tona”, tha drejtuesi i misionit Dr. Jyotika Virmani.

“Ky kombinim i fuqishëm i të dhënave kërkimore dhe magjisë nënujore do përdoret për të kuptuar më shumë këtë korale të re dhe rolin që ka në të mrekullueshmen barrierë koralore”, tha ajo.

Barriera koralore është brezi më i madh koralor në botë, shtëpi e më shumë se 1500 lloje peshqish, 411 specie koralesh shkëmbore si dhe qindra specie të tjera.

E shtrirë në 2300 kilometra gjatësi, ky brez koralor u shpall trashëgimi botërore në vitin 1981. Por, sipas studimeve, ngrohja globale ka shkaktuar humbjen e më shumë se gjysmës së koraleve të saj që prej 1995. /tvklan.al