Opinion- Tuneli i Porto Palermos është një vepër gjigande, nga ato që nuk janë të dukshme, por që vlera e tij është sa tre hidrocentrale të kaskadës së Drinit të marra së bashku.

Ky tunel ka qëndruar i fshehur për vite me radhe në brendësinë e një mali dhe nuk u shfrytëzua kurrë. Kjo sepse në momentet e përfundimit të tij regjimi komunist ra. Kjo vepër nuk u pa kurrë nga njerëzit, me përjashtim të atyre që ishin të përzgjedhur me kujdes për ndërtimin e saj. Tuneli i Porto Palermos ndodhet në një prej perlave të turizmit shqiptar, në Gjirin e Porto Palermos.

Aty gjithashtu është edhe një nga kalatë më të famshme ndërtuar në fillim të shekullit XIX nga Ali Pashë Tepelena mbi rrënojat e një kalaje veneciane. Ky gji ishte menduar nga regjimi komunist të ishte një nga strofullat më të heshtura të katër mjeteve lundruese. Historia fillon në vitin 1969, Sovjetikët ishin ata që projektuan një mbrojtje perfekte në atë zonë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ishin kinezët ata që morën përsipër vijimin e projektit. Tuneli është 980 metra i gjatë, 11 metra i lartë dhe 8 deri në 11 metra i thellë, 12 metra i gjerë dhe që shoqërohet me disa ndërtime deri në 4 kate. Kjo vepër, sipas kalkulimeve të asaj kohe, ka kapur shifrën 418 milionë Dollarë ose e konvertuar me vlerën e sotme sipas një kalkulimi që bëhet në internet 1.8 miliardë Euro. Ndërtimi i tij nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988.

Regjimi komunist nuk e çoi dot as deri në fund marrëzinë e super kushtueshme që do t’i mbronte nga sulmet imagjinare. Për ndërtimin e tij kanë punuar rreth 1000 persona në kushte ekstreme. Sipas të dhënave të procesverbaleve të mbajtura në bazën ushtarake, vetëm një prej menteshave, ardhur nga Kina, kushton 75 mijë Euro. Dyert e vendosura në tunel ishin llogaritur t’i rezistoni çfarëdolloj shpërthimi, madje edhe shpërthimeve atomike. Gjatë ndërtimit të tij kanë humbur jetën rreth 100 punonjës, por vetëm 93 prej tyre janë dokumentuar. Shifrat mbeten kaotike pasi jo të gjitha vdekjet brenda tunelit raportoheshin.

Lili Pula, ish-magazinieri i këtij tuneli, i cili mbante shënim çdo material që vinte për ndërtimin e tij, në një intervistë për emisionin “Opinion” të datës 05 Shtator 2011 dëshmon se për ndërtimin e tij janë dashur më shumë se 20 vite punë. Sipas tij janë dashur gërmime dhe shpërthime të mëdha për të hapur tunelin./tvklan.al