Më 19 Shkurt të vitit 1951, ora 17:47, në hyrjen e Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, sot Ministria e Arsimit, shpërtheu një lëndë eksplozive. Por kush e hodhi bombën në perimetrin rrethues të ambasadës? Cili ishte qëllimi i tij dhe a kishte qenë një akt i veçuar apo në bashkëpunim?

Sipas dëshmive të ish të burgosurve politikë të asaj kohe dhe të ish oficerëve të lartë të sigurimit, emrat që lakohen për hedhjen e eksplozivit janë pjesëtari i grupit të Rezistencës Hysen Llulla dhe oficeri i Policisë Rrugore Qazim Laçei.

Kur ky i fundit mësoi se ishte bërë shkaktar për një terror masiv, mori përsipër vullnetarisht hedhjen e bombës. Laçei u dënua me vdekje dhe brenda ditës u ekzekutua. Por të gjitha këto u mësuan më vonë.

Më 20 Shkurt 1951 Byroja Politike u mblodh në një takim të jashtëzakonshëm. Ministri i Brendshëm Mehmet Shehu deklaroi se dhe një herë tjetër ishte pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi.

Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni dhe ju dakord veprojmë që sonte”, tha Ministri Shehu.

Në ditët në vazhdim u arrestuan mbi 150 veta sipas listave të përgatitura që në fillim të muajit Shkurt. Natën e 26 Shkurtit 1951 22 prej tyre u pushkatuan pranë Tiranës. Asnjërit nuk i ishte deklaruar asnjë akuzë dhe asnjë nuk kishte dalë në gjyq. Vendimi për dënimin e tyre me vdekje u mor një ditë më pas, më 27 Shkurt 1951.

Dëshmitarët okularë nga fshatrat përreth deklaruan se në datat 18 dhe 19 Shkurt të vitit 1951 një togë policësh hapën një gropë të madhe në afërsi të Urës së Beshirit, pranë fshatit Mënik. Vendi u ruajt me policë deri në mesnatën e 26 Shkurtit, kur u pushkatuan 22 viktimat.

Fshatarët dëgjuan atë natë pushkët e automatikët dhe ulërimat e një gruaje nga vendi ku ishte hapur gropa. Pas vitit 1990, ata fshatarë ndihmuan familjet e viktimave për të gjetur vendin ku ishin pushkatuar të afërmit e tyre para 4 dekadash.

Për të diskutuar mbi këtë ngjarje tragjike të viteve të komunizmit në Shqipëri, incidentin e Ambasadës Sovjetike, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Keta Kaceli, Gëzim Peshkëpia, Hysen Shehu, Amik Kasuruho dhe historiani Uran Butka. Ata janë familjarët e disa prej viktimave të pushkatuar mbrëmjen e 26 Shkurtit të vitit 1951, të cilët treguan se çfarë kanë zbuluar ndër vite.

Ndërsa në pjesën e tretë të emisionit “Opinionit” Didi Bixhaku rrëfeu eksperiencën e saj si e mbijetuara e vetme nga lista e 158 të arrestuarve të asaj mbrëmjeje./tvklan.al