Misteri i eliminimit të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, I




Misteri i eliminimit të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, I

Autori: Blendi Fevziu

23:11 14/12/2005

Opinion- Karriera politike, si dhe jeta e Mehmet Shehut mbetën të shënjuara rëndë nga koha që jetoi dhe nga sistemi që ai vetë projektoi, e që në fund u bë drama e madhe e tij dhe e familjes që la pas. I ashpër, i rreptë, me një buzëqeshje thuajse të munguar, që shfaqej në rastet kur ishte krah Enver Hoxhës në Kongrese apo tribuna. Ai mbijetoi për 27 vjet në krye të qeverisë, më shumë se kushdo tjetër në botë. Jeta e njeriut më të rëndësishëm pas Hoxhës ka qenë pa ndonjë kulm të veçantë. Ai lindi në fshatin Çorushë të Mallakastrës, më 10 Janar 1913. Luftëtari i Spanjës dhe njeriu që e kishte lidhur fatin e tij me komunizmin, nuk qëndroi mënjanë.

Ai krijoi një çetë dhe u përfshi në Partinë Komuniste Shqiptare dhe një vit më vonë u zgjodh Komandant i formacionit më të madh Partizan të kohës, Brigadës së Parë Sulmuese. Lufta i dha mjaft famë Mehmet Shehut dhe ajo që do të vinte pas luftës ishte edhe më e bujshme. Më 1945, ai u dërgua në shkollë në Moskë, prej nga u thërrit për të ardhur në krye të Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë kohë, marrëdhëniet e tij me Koçi Xoxen qenë problematike, por si Ministër i Telekomunikacioneve, ai arriti t’i shpëtojë eliminimit.

Pas pushkatimit të Xoxes në vitin 1949, Shehu zgjidhet Ministër i Brendshëm, ndërsa më 1954-n, Kryeministër. Ai qëndroi në krye të qeverisë për 27 vite rresht, një rekord i vërtetë. Autoritar dhe tejet i ashpër, Mehmet Shehu ishte njeriu që mbante barrën reale të ekonomisë shqiptare. Sëbashku me Hoxhën, ata krijuan një prej regjimeve më të ashpra dhe kriminale të kohës, një regjim që pa e kuptuar, do të hante edhe atë vetë.

Më 1981, Mehmet Shehu ishte absolutisht njeriu më i fuqishëm në vend, ai kishte edhe avantazhin që dukej se ishte vendosur si pasardhësi i Enver Hoxhës. Por në verë të këtij viti, djali i tij Skënder Shehu e takon për t’i thënë se kishte vendosur të fejohej. Ai kishte rënë në dashuri me volejbollisten Silva Turdiu. Fejesa u miratua edhe nga diktatori Enver Hoxha, i cili shkoi për vizitë në famijen e Mehmet Shehut për ta uruar. Pak kohë pas fejesës, Enver Hoxha nisi të mbante një pozicion të ashpër, madje i kërkoi shpjegime Mehmet Shehut, se përse e kishte bërë këtë fejesë. Diktatori e thërret dhe Mehmet Shehu vendos të prishë fejesën.

Pas prishjes së fejesës, Mehmet Shehu hyn në një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Prishja e fejesës nuk ishte shkaku real, por thjesht pretekst për të goditur Kryeministrin. Të gjithë qytetarët e kuptojnë këtë dhe i vetmi që nuk donte ta besonte ishte pikërisht Mehmet Shehu. Ai filloi të ndihej i izoluar dhe gjithnjë e më shumë filloi të konsumojë kohë në oborrin e vilës së tij. Po ashtu, kishte filluar të ndihej edhe lufta e kohës për pushtet.

Mehmet Shehu, pavarësisht premtimit të diktatorit Hoxha se do ta ndihmonte, ndjen se ishte totalisht i zhveshur nga pushteti dhe i bën të ditur familjarëve se përgjohej. Në dy javëshin e parë të Dhjetorit, ai e kupton se ka ardhur momenti t’i japë drejtim. Më 17 Dhjetor, ai niset në mbledhjen e Byrosë me një autokritikë të gjatë në çantën e tij. Ai qëndron në mbledhjen maratonë, ku kritikohet për të gjitha.

Ndaj Fiqirete Shehut merret masa e shënimit në kartë, por ajo natë do të ishte fatale për Mehmet Shehun. Ai mbërrin në shtëpinë e tij pas mbledhjes dhe vijonte të ishte i paqartë për qëndrimin që Enver Hoxha do të mbante. Ai ripunon për të nesërmen autokritikën e gjatë dhe atë natë të vonë, ai tenton të takojë tek për tek Enver Hoxhën, duke shpresuar në kthjellimin e marrëdhënieve mes tyre, por ai nuk kishte pranuar. Dështimi i këtij takimi të mundshëm e kishte rënduar shumë psikologjikisht Mehmet Shehun./ tvklan.al










Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:11 14/12/2005