Teksa Moska është tepër hermetike në publikimin e detajeve nga hetimet mbi shkakun e rënies së avionit privat ku mendohet të ketë humbur jetën Jëvgeni Prigozhin, Uashingoni jep vlerësimet paraprake. Mediat amerikane citojnë një vlerësim paraprak të qeverisë amerikane, ku thuhet rënia e avionit konsiderohet si një atentat ndaj kreut të grupit të mercenarëve Wagner.

Megjithatë, qeveria amerikanë nuk beson se shkak të ketë qenë goditja nga raketat në ajër të ushtrisë ruse, një variant që qarkulloi që në fillim. Gjasat, sipas zyrtarëve në Uashington janë që rënia të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombe të vendosur në bordin e avionit.

Hetuesit rusë pritet të kryejnë analizat e ADN-së, për të vërtetuar, nëse mes trupave të 10 viktimave është edhe ai i Prigozhinit që besohet se po fluturonte drejt Shën Petërsburgut me avionin privat.

Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin reagoi pasditen e kësaj të Enjteje për ngjarjen, duke thënë se hetimet për të pritet të zgjasin. Shefi i Kremlinit shprehu vlerësim të lartë për Prigozhinin të cilin e quajti një njeri me shumë talent.

Tv Klan