Mbeten dilemë rrethanat e shpërthimit të fuqishëm në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, ende nuk dihet nëse ishte një aksident apo një sulm shkatërrimi i zonës më të rëndësishme të qytetit.

Një zyrtar libanez është shprehur për mediat se zjarri nuk ka nisur në depon e fishekzjarreve sicc u tha më herët, por më parë ka shpërthyer një lëndë tjetër e më pas flakët u përhapën në të gjithë portin.

Për atë që dyshohet të jetë sulm, gishti është drejtuar nga Izraeli. Në mediat ndërkombëtare shkruhet se në portin ku ndodhi shpërthimi, dyshohej se përdorej nga Irani për të fshehur arsenal armësh, ndërsa autoritetet izraelite kanë akuzuar më herët Libanin se në portin e Bejrutit po prodhoheshin raketa dhe diccka e tillë do të ndalohej nga Jeruzalemi.

Ndërkohë në mediat ruse janë publikuar të dhëna për sasinë prej 2750 tonw nitrat amoni që u dogj në portin e Bejrutit, duke shkaktuar edhe shpërthimin gjigand në formën e kërpudhës.

Sipas shtypit, rus sasia e nitratit ndodhej në zonë që në vitin 2013. Anija ku ndodhej lënda që përdoret edhe për prodhimin e lëndëve plasëse ishte në pronësi të një biznesmeni rus, i cili e kishte braktisur mjetin që prej asaj kohe.

Sa i përket bilancit të atij që i ngjau një sulmi atomik, mbi 135 persona kanë mbetur viktimë e mbi 5000 të tjerë janë plagosur. Qindra janë të zhdukurit që po kërkohen ende në gërmadha.

Nga shpërthimi nuk u shkatërrua vetëm pjesa më e rëndësishme e kryeqytetit, por u dërrmua edhe ekonomia e vendit pasi në zonën e shpërthimit ndodheshin fabrikat më të rëndësishme prodhuese të Libanit.

Klan Plus