Eksperti italian: Tymi i kuq krijohet nga lëndët shpërthyese ushtarake

Magazina ku ndodhi shpërthimi tragjik i 4 gushtit në portin e Bejrutit, mund të ketë qenë e mbushur me predha dhe jo me nitrat amoni. Është ky opinioni i ekspertit italian të eksplozivëve Danilo Coppe, të cilit po i bëhet jehonë edhe nga media prestigjoze ndërkombëtare si DailyMail.

56-vjeçari me një eksperiencë të gjatë në hetimin e shpërthimeve në Itali e vende të ndryshme të botës thotë se ngjyra e tymit që u përhap në shpërthimin e Bejrutit ishte i kuq. Këtë ngjyrë marrin zakonisht shpërthimet e materialeve ushtarake që kanë litium në përbërje. Ndërsa tymi që krijohet nga djegia e nitratit të amonit, sipas tij është në përgjithësi i bardhë.

Eksperti italian shprehet se në magazinën ku ai beson se ishin depozituar raketa, shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një zjarr aksidental. Dyshime ka se raketat mund të jenë depozituar në atë magazinë nga grupi i militantëve anti-izraelitë Hezbollah, që kontrollon zonën e portit.

Shpërthimi shkaktoi një krater 43 metra të thellë në zonën e portit. Numri i të vdekurve nga kjo tragjedi ka arritur në 220, e mbi 7 mijë ai i të plagosurve. Mbi 300 mijë njerëz kanë mbetur të pastrehë nga shpërthimi.

Dëmi i ekonomik përllogaritet në 15 miliardë Dollarë, ndërsa në samitin e të dielës të liderëve ndërkombëtarë për Bejrutin, që pati si nismëtar presidentin francez Emmanuel Macron, u mblodhën 297 milionë Dollarë.

Tv Klan