Gjatë ditës, 13 – vjeçari Shoaib Ahmed dhe vëllai i tij 9 – vjeçar Abdul Rasheed janë si çdo fëmijë tjetër. Ata dalin jashtë, ecin dhe luajnë me fëmijet e tjerë.

Por kur dielli perëndon, dy vëllezërit nga Pakistani paralizohen dhe e kanë të pamundur për të lëvizur apo për të folur, derisa dielli të lindë sërish.

Ky është rasti i parë në botë i njohur deri më tani dhe mjekët nuk ia kanë idenë se çfarë i shkakton këto simptoma.

Duke folur për “Associated Press”, profesori i mjekësisë në Institutin e Mjekësisë Shkencore në Pakistan, Javed Akram tha se rastin e tyre e kishin marrë në dorë si një lloj sfide.

“Mjekët tanë janë duke bërë teste për të përcaktuar përse këta fëmijë janë aktivë gjatë ditës, por nuk mund të hapin sytë, nuk mund të flasin apo të hanë kur dielli perëndon”.

Vëllezërit janë mbiquajtuar “djemtë solarë” dhe që prej fillimit të vitit ata jetojnë nën vëzhgim në një spital në Islamabad të Pakistanit. Ata i janë nënshtruar më shumë se 300 testeve deri më tani.

Mjekët dyshojnë se kjo gjendje unike është e lidhur në një mënyrë ose një tjetër me genet, kjo pasi prindërit e tyre janë kushërinj të parë, një praktikë jo e panjohur në Pakistan. Megjithatë, edhe në këtë pikë, mjekët nuk janë të sigurtë se cilat gene mund të shkaktojnë një efekt kaq të rëndë në sjelljen e djemve./tvklan.al