Hetimet i marrin në dorë Krimet e Rënda

Dosja për vrasjen e 38-vjeçarit Kreshnik Dashaj mëngjesin e së mërkurës në lagjen “Kushtrimi” të Vlorës u ka kaluar në dorë prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, çdo gjë vijon të mbetet mister. Grupi hetimor po përqëndrohet në dy pista kryesore për vrasjen e 38-vjeçarit, ai i një konflikti për motive familjare ose ndonjë zënke të çastit.

Ajo që ka vështirësuar hetimet është fakti se viktima nuk njihej si person problematik apo me konflikte të vjetra. Banorët e zonës ku ai jetonte, thonë se i riu, baba i një vajze 7 vjeç, ishte një njeri i qetë.

“Ata janë njerëz të mirë, ne çuditemi”.

“Janë aq të respektueshëm…  Asnjë problem nuk i dimë, ne jemi si lagje shumë të qetë. Njerëz të qetë që s’kemi çfarë të themi për ta”.

Burime pranë grupit të hetuesve thanë se familjarët janë shprehur se nuk kanë dëgjuar asgjë edhe pse gjithçka ka ndodhur pranë banesës së tyre.

Vetë familjarët thanë se nuk kanë dyshime as mbi motivet e krimit. Fillimisht policia tha se ishte vdekje natyrale, por më pas ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se Dashaj ishte qëlluar me armë zjarri në pjesën e shpatullës.  

Tv Klan